
Drejtoresha e Përgjithshme e Prodhimit statistikor në INSTAT, Elona Sevrani, ka dhënë detaje nga censi 2023 i cili nis sot me mbledhjen e të dhënave.
Të anketuarit do të trokasin deri në tre herë në banesën e qytetarit për të marrë informacionin. Ndërkohë në të gjitha bashkitë e vendit janë hapur dhe zyra të përshtatshme ku qytetarët mund të shkojnë të regjistrohen nëse nuk kontaktohen dot nga i anketuari.
Sa i takon emigrantëve apo familjarëve që mund të ndodhen jashtë Shqipërisë apo në një qytet tjetër gjatë kohës së mbledhjes së të dhënave, anketuesit do të marrin informacion nga familjarët e tjerë që do të jenë në banesë.
Por çfarë ndodh me ata qytetarë që nuk kontaktohet nga asnjë anketues i Censit për një arsye apo një tjetër?
Në një intervistë për "Report TV", Sevrani thotë se stafi është trajnuar të grumbullojë sa më shumë informacion. Madje në rastet e banesave me dyer të mbyllura do të pyeten administratorët e pallateve, apo fqinjët. Megjithatë autoritetet vënë theksin në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve.
Drejtoresha Elona Sevrani u bën thirrje qytetarëve që të regjistrohen pasi këto të dhëna do të shërbejnë për planifikimin dhe zbatimin e politikave të përgjithshme të zhvillimit, për kërkime shkencore, si dhe për të kuptuarit të realitetit demografik, ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Sevrani zbulon se marzhi i gabimit është 3%.
Lini një Përgjigje