Gazeta greke Ekathimerini ka shkruar sërish për Fredi Belerin i cili u arrestua para zgjedhjesh për blerje votash.
Gazeta greke shkruan se ceremonia e betimit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri e planifikuar për të martën, nuk mund të zhvillohet ndërsa ai është ende në paraburgim.
Sipas legjislacionit shqiptar, një nënkryetar bashkie, i emëruar nga një këshill ministrash i kontrolluar nga Partia Socialiste në pushtet, do të duhet të marrë detyrën.
Kjo do të thotë se ai do të jetë mbështetës i kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili do të drejtojë bashkinë e Himarës deri në një njoftim të dytë.
Sipas ligjit shqiptar, hetimi dhe marrja në pyetje në lidhje me rastin e Belerit, i cili u arrestua muajin e kaluar disa ditë para zgjedhjeve bashkiake, po vijon deri në përfundimin e dosjes dhe çështja e tij të marrë rrugën gjyqësore.
Një prokuror shqiptar ka përmendur një “precedent penal” në lidhje me moslirimin e Belerit.
Në veçanti, ai tha se Beleri ishte penalizuar në vitin 2003 për “fyerje të simboleve të Shqipërisë” dhe se ai ishte larguar nga vendi dhe ishte kthyer vetëm pas skadimit të afatit të parashkrimit.
Ankesa e Belerit për heqjen e paraburgimit u refuzua sërish javën e kaluar dhe u njoftua se do të ankohej në Gjykatën e Lartë me të njëjtën kërkesë.
Refuzimi i kërkesës për lirim “pengon drejtpërdrejt betimin e tij dhe ngre shqetësime të thella në lidhje me objektivat reale pas ndjekjes së tij”, tha Ministria e Jashtme greke.
Beleri ndodhet në burg prej 40 ditësh pasi akuzohet për blerje votash.
Lini një Përgjigje