Rruga Librazhd-Qafë Thanë është bllokuar në të dyja drejtimet. Shkak është bërë një rrëshqitje e masivit të dheut dhe e gurëve nga mali në vendin e quajtur Dragostunjë.
Prej orës 11:00 të paradites, qarkullimi në aksin e rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas është totalisht i bllokuar, duke shkaktuar kaos dhe radhë të gjata automjetesh në të dy drejtimet. Shkak për situatën e rëndë janë bërë rrëshqitjet masive të gurëve, me dhjetëra e qindra metra kub, që kanë rënë mbi trasenë e rrugës në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”.
Situata paraqitet alarmante, pasi masat e mëdha shkëmbore kanë pushtuar plotësisht segmentin rrugor, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve dhe duke rrezikuar seriozisht sigurinë e drejtuesve të automjeteve. Qindra qytetarë kanë mbetur të bllokuar në një nga arteriet më të rëndësishme kombëtare që lidh Librazhdin me Juglindjen e Shqipërisë.

Në terren ndodhen forca të shtuara të Policisë Rrugore, të cilat po monitorojnë situatën dhe po përpiqen të menaxhojnë trafikun, por pa asnjë zgjidhje konkrete, për shkak të mungesës së mjeteve nga kompanite qe mirëmbajnë këtë segment si dhe mungesës dhe ndërhyrjeve teknike për largimin e masiveve të gurëve.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, pasi përveç bllokimit të qarkullimit, ekziston një rrezik real për aksidente të rënda, nëse rrëshqitjet vijojnë ose nëse mjetet tentojnë të kalojnë në kushte të pasigurta.
Ndërkohë uniformat blu i bëjnë thirrje qytetarëve që duan të shkojnë drejt Korçës ose anasjelltas të shmangin lëvizjen deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës.
“Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në këtë zonë dhe po bashkëpunojnë me firmën kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve për pastrimin në një kohë sa më të shpejtë të aksit rrugor me qëllim fillimin e lëvizjes së automjeteve”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje