TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Shkurt 2026, 11:27

GJKKO i rrëzoi kërkesën Erion Veliajt, avokati: Kërkuam garanci pasurore, por u refuzua

Shkruar nga Pamfleti
GJKKO i rrëzoi kërkesën Erion Veliajt, avokati: Kërkuam
Avokati i Veliajt, Sokrat Gjermeni

Në seancën e sotme Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka rrëzuar kërkesën e Erion Veliajt për të zëvendësuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

Avokati i Veliajt, Sokrat Gjermeni në përfundim të seancës tha se kryebashkiaku nuk doli përtej kërkesave ligjore që janë parashtruar.

“Kemi kërkuar të caktohet një masë më e butë, jo arrest me burg, të cilën gjykata e ka rrëzuar. Veliaj ishte i pranishëm dhe ka deklaruar të njëjtat gjëra që janë parashtruar në kërkesë. Nuk ka dalë përtej kërkesave ligjore. Por gjykata rrëzoi kërkesat. Prokuroria mbajti qëndrimin që masa duhet të vazhdojë. Pavarësisht se kanë mbaruar hetimet, provat mund të manipulohen. Kjo ishte logjika e Prokurorisë, por që ne nuk jemi dakord me këtë logjikë”, tha avokati i Veliajt.

Po ashtu sipas avokatit është ofruar edhe garancia pasurore, apo edhe paraqitja 5 herë në javë, por sërish janë rrëzuar kërkesat.

“U kërkua garancia pasurore, u kërkuan disa masa, detyrim paraqitje 5 herë në javë, garancia pasurore, ndalimi jashtë shteti. Pra të gjitha masat që janë të përshtatshme për të mbarëvajtur hetimet, megjithëse këto rreziqe janë iluzionare. Nuk e ofruam me shumë të përcaktuar, e lamë në vlerësim të gjykatës, por duke qenë se u rrëzua kërkesa, nuk u shqyrtua ky opsion.”, tha avokati.

Sot Veliaj ishte i pranishëm në sallën e gjyqit teksa përballë kishte dy prokurorët e çështjes, ish-kreun e SPAK, Altin Dumani dhe Ols Dadon.

Këta të fundit kanë mbajtur qëndrimin e njëjtë që masa e arrestit me burg duhet të vazdhojë pasi provat mund të manipulohen.

Për prokurorin Dado, kreu i bashkisë ka dërguar një padi në Gjykatën Administrative të Tiranës ku kërkon konstatimin e pavlefshmërisë së dekretit të presidentit për emërimin si prokuror në vitin 2008.

Ndërkohë, për Veliajn është parashikuar që të hënën e 2 shkurtit të zhvillohet seanca paraprake në ngarkim të tij dhe të pandehurve të tjerë.

Çështja e masës së sigurisë është ndërkohë duke u shqyrtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, pasi Veliaj kërkon shfuqizimin e saj.

Veliaj ndodhet në qeli prej pothuajse një viti. Ai u arrestua më 10 shkurt të vitit 2025.  

 

gjkko i rrëzoi kërkesën e erion veliajt

Lini një Përgjigje