Sipas burimeve, ndaj prokurorit të çështjes Dritan Prençi kanë nisur kërcënimet përmes mesazheve verbale dhe mesazheve të koduara me natyrë mafioze.
SPAK, BKH dhe Policia e Shtetit, përfaqësuar nga forcat operacionale dhe FNSH zhvilluan dje një aksion në Shkodër, Vau Dejës dhe Malësi të Madhe, duke kryer kontrolle dhe sekuestrime në kuadër të goditje së blerjes së votave. Nuk është sekret që subjekt i këtij operacioni është banda e blerjes së votave të emblemës së krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, Tom Doshi. Banda e tij po hetohet nga prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi. Prokurori Prençi është caktuar nga Altin Dumani për të hetuar krimet zgjedhore në Qarkun e Shkodrës.
Përmes parave të tenderave, kontrabandës, lojërave të fatit dhe sigurimit të lejeve të ndërtimit te AZHT për biznesmenë të ndryshëm në këmbim të parave, Tom Doshi dyshohet se ka hedhur miliona euro në këto zgjedhje, me qëllim për të marrë disa mandate, për t’ju imponuar më pas Edi Ramës në qeverisje, duke i kërkuar një pjesë edhe më të madhe të pushtetit, edhe pse Rama, gjatë këtyre 12 viteve, i ka dhënë Tomës monopolin e ilaçeve, 2.7 mijë tendera në shëndetësi, lejet e ndërtimit, llotot sportive të paligjshme, mijëra vende pune, drejtori etj.
Tom Doshi ka funksionuar si një shtet brenda shtetit. Gjatë kësaj fushate elektorale, Doshi sulmoi kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, pasi Beci refuzoi t’i dorëzonte bashkinë, ndërsa tentoi t’i bënte shantazh Edi Ramës, duke e akuzuar se është peng i krimit dhe korrupsionit, se nuk bënte dot qeveri pas 11 majit pa votat e tij etj. Shqiptarët i dhanë një tjetër mandat të fortë Edi Ramës, duke e bërë Tom Doshin të panevojshëm për mandatin e katërt, edhe pse Rama edhe gjatë mandatit të parë, të dytë dhe të tretë nuk ka pasur nevojë për votat e tij për të mbajtur pushtetin.
Hedhja e parave të pista nga Tom Doshi për të blerë vota rezultoi një investim i dështuar, pasi me tre mandatet e tij nuk mund t’i imponohet Edi Ramës. Por, krahas shpenzimit të parave, Doshi tashmë ka disa llogari të hapura me SPAK. Anëtarët e bandës së tij të blerjes së votave janë kapur nga SPAK në flagrancë nga Kukësi deri në Fier. Prokurorët e SPAK e dinë se koka e skemës së blerjes së votave është Tom Doshi. Por, për ta goditur penalisht duhen prova.
Ditën e djeshme, një skuadër e BKH dhe policia kanë ndaluar në rrugë me makinë dhe i kanë sekuestruar telefonin shoferit të Tom Doshit. Shoferi dyshohet se ishte pjesë e skemës kriminale dhe kishte rol ndërlidhës. Në telefonin e tij besohet se ka të dhëna me vlerë për hetimin dhe që i çojnë hetuesit drejt Tom Doshit.
Pas këtij veprimi hetimor, Tom Doshi duket se e ka ndier rrezikun e rrethimit nga SPAK-u. Sipas burimeve, ndaj prokurorit të çështjes Dritan Prençi kanë nisur kërcënimet përmes mesazheve verbale dhe mesazheve të koduara me natyrë mafioze. Pas kërcënimeve, sipas burimeve, pjesë e hetimit të bandës së Tom Doshit pritet të bëhet edhe kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, makthi i kokave të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.
Lini një Përgjigje