TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Maj 2025, 07:51

Berisha në SPAK, sot vendoset fati i dosjes “Partizani”; Noka mobilizon militantët e PD

Shkruar nga Pamfleti

Sot pritet të mbahet në GJKKO edhe seanca paraprake për kalimin ose jo të dosjes për gjykim, pas tentativave të ndryshme për zvarritje.

Berisha në SPAK, sot vendoset fati i dosjes “Partizani”; Noka
Sali Berisha në SPAK

Kreu i PD, Sali Berisha do të shkojë sot në SPAK për zbatimin e masës së sigurisë detyrim paraqitje, në orën 8.30, për aferën “Partizani”.

Seanca e mëparshme gjyqësore e mbajtur më 24 prill ndaj Sali Berishës, Jamarbër Malltezit dhe Andia Pustinës u shty, pasi mbrojtja kërkoi përjashtimin e gjyqtares Fjorela Davidhi, duke e akuzuar për mungesë paanësie.

Megjithatë, kërkesa u refuzua nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më 28 prill, duke i hapur rrugë vijimit të gjykimit nga e njëjta trupë gjyqësore.

Gjyqi ndodhet tashmë në muajin e gjashtë të zhvillimit, që nga seanca e parë paraprake më 24 tetor 2023, dhe është karakterizuar nga shtyrje të njëpasnjëshme, fillimisht për shkak të mungesës së avokatëve dhe së fundmi, përmes përpjekjes për përjashtimin e gjyqtares.

PD ndërkohë iu ka dërguar mesazh strukturave të saj, që në këtë orë të protestiojnë përpara selisë të SPAK.

Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Flamur Noka iu dërgoi një mesazh pak ditë më parë strukturave të partisë, ku thuhej: 

“Ju lutem të mobilizojmë të gjitha strukturat e degëve për të qenë të gjithë aty. Ora 08:30 para selisë së SKAP-it, faleminderit!”. 

Ndaj ish-kryeministrit Berisha rëndon akuza e korrupsionit. Dhëndri i tij Jamarbër Malltezi (aktualisht në arrest shtëpie) si dhe biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për korrupsion e pastrim parash ndërsa ndaj dy të tjerëve, ortaktut të Malltezit Xhimi Begeja dhe Andia Pustinës, financieres së kompanisë “Homeplan” rëndon akuza e pastrimit të parave.

Dosja 'Partizani', të pandehurit:
-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
- Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për  “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal
- Fatmir Bektashi - Ndërtuesi akuzohet  “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe 'pastrim parash'
- Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan'  akuzohet për 'Pastrim Parash'
- Andia Pustina - Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k -  Akuzohet për 'Pastrim Parash' 

berisha në spak

Lini një Përgjigje