
Avokati Spartak Ngjela ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet gara për drejtimin e Partisë Demokratike, duke deklaruar se mungesa e kandidatëve përballë Sali Berishës tregon mungesë demokracie brenda partisë.
Ngjela u ndal edhe tek situata politike në vend, duke u shprehur se mazhoranca aktuale nuk ka një opozitë reale përballë.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore lidhet me faktin se kreu i opozitës është shpallur “non grata” nga SHBA dhe Bashkimi Europian.
“E vetmja dobësi antiperëndimore dhe antieuropiane, anti-amerikane në Shqipëri është Sali Berisha, i cili është non grata në Amerikë dhe BE. Është non grata për veprimtari anti-amerikane dhe anti-perëndimore”, u shpreh Ngjela për "TCH".
Ai komentoi edhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke deklaruar se mazhoranca nuk ka bërë gabime në këtë drejtim.
“Roli i maxhorancës në procesin e integrimit është shumë i qartë. Unë jam kundërshtar i socialistëve, por nuk kanë bërë ndonjë gabim në lidhje me integrimin. Ai po vazhdon hap pas hapi normalisht”, tha avokati.
Ngjela u ndal gjithashtu tek çështja e imunitetit të Belinda Ballukut, duke theksuar se maxhoranca ka vepruar në përputhje me ligjin.
“Ka shkelur apo jo maxhoranca ndonjë ligj për imunitetin e Ballukut? Jo. Maxhoranca është zgjedhur nga populli shqiptar. Unë jam ligjor. Ajo është një maxhorancë e madhe dhe nuk ka kundërshtar”, deklaroi ai.
Teksa ka komentuar zgjedhjet brenda Partisë Demokratike, ku Sali Berisha mbeti kandidati i vetëm pas skualifikimit të Mereme Selës, Ngjela tha se kreu i PD-së nuk lejon garë të vërtetë brenda partisë.
“Fakti që mungon gara në PD është sepse nuk e lë Saliu. Kështu flitet edhe përballë një gjykate. Saliu nuk lë të respektohet demokracia. Cila është demokracia? Që të ketë më shumë se një përfaqësues në garë. Berisha i druhet përballjes”, përfundoi Ngjela.
Lini një Përgjigje