TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Korrik 2024, 10:30

Beleri mbërrin në Shqipëri pas betimit si eurodeputet në Strasburg: Nuk më vjen keq që do shkoj në qeli

Shkruar nga Pamfleti
Beleri mbërrin në Shqipëri pas betimit si eurodeputet në
Fredi Beleri

Fredi Beleri është kthyer mëngjesin e sotëm në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit pasi u betua në Parlamentin Evropian si eurodeputet në Strasburg.

I pyetur nëse do të shkojë ditën e sotme në Himarë, Beleri është përgjigjur ‘jo’.

“Nuk më vjen keq që do të shkoj në qeli”, u shpreh Beleri.

I pyetur për kandidatin e opozitës për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri u shpreh se opozita mund t’i fitojë zgjedhjet.

“Mbase është kandidat më i denjë sesa unë”, tha Beleri.

Në orën 16:00 ditën e sotme, Belerit i mbaron leja 5 ditore e dhënë nga Drejtoria e Burgjeve.

Europarlamentari më i ri grek i është drejtuar edhe me një kërkesë Gjykatës së Fierit duke kërkuar lirim me kusht.

Seanca e parë për të shqyrtuar këtë kërkesë të Belerit është realizuar në 17 korrik, por është shtyrë për shkak të mungesës së juristit të burgut të Fierit. Ky i fundit nuk është paraqitur në gjyq edhe pse ka pasur dijeni për orën dhe datën e gjyqit.

Referuar edhe kohës së paraburgimit, Belerit i kanë mbetur edhe rreth 2.5 muaj burg nga masa e dënimit, ndërsa aktualisht ndodhet jashtë hekurave të qelisë duke shfrytëzuar lejen 5 ditore të dhënë nga Komisioni i posaçëm në Drejtorinë e Burgjeve.

Leja në fjalë iu akordua ish-kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës pas kërkesës së palës mbrojtëse për t’i dhënë mundësinë që të betohej më 16 korrik në Parlamentin Europian si eurodeputet nga radhët e partisë qeverisëse greke, “Demokracia e Re”.

Fredi Beleri përfitoi lejen pasi dënimi për të ka marrë formë të prerë dhe ai ka kryer më shumë se 5/6 e masës së dënimit të caktuar. Kështu për Belerin nuk kishte asnjë pengesë ligjore për të marrë lejen që i lejoi të ishte i pranishëm në sesionin parlamentar që nisi në Strasburg më 15 korrik dhe përfundon sot.

fredi beleri

Lini një Përgjigje