TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Korrik 2025, 17:30

Batërdia e “Bankers Petroleum”/ Fitoi mbi 4 miliardë euro nga nafta e Patos Marinzës, shtetit nuk i pagoi asnjë lloj tatimi

Shkruar nga Pamfleti

Batërdia e “Bankers Petroleum”/ Fitoi mbi 4 miliardë euro

Ja bëmat dhe aferat e “Bankers Petroleum”...

Policia ka mësyrë sot në zyrat e “Bankers Petroleum”, duke arrestuar disa persona. Aksioni ka ardhur pas manovrave të kompanisë, e cila prej vitesh ka shmangur detyrimet tatimore dhe zbatimin e kontratës me shtetin shqiptar.

Gjatë dy dekadave, të ardhurat e Bankers nga nxjerrja e naftës janë rreth 4 miliardë euro. Kompania ka paguar zero taksa, pasi çdo vit manipulon dhe fryn shpenzimet.

Sipas marrëveshjes koncesionare mes qeverisë dhe Bankers Petroleum, kompania do të shfrytëzojë vendburimin e Patos Marinzës pa paguar tatim-fitim deri në momentin që ajo të rekuperonte plotësisht kostot e investuara, ose ndryshe i ashtuquajturi faktori r të dilte mbi 1.

Pasi të arrihej kjo vlerë, atëherë kompania do të paguante tatim fitimi në masën 50 për qind. Pra fitimi nga shfrytëzimi i naftës do të ndahej gjysmë për gjysmë me shtetin shqiptar. Vetë Bankers kishte planifikuar që faktori R>1 të arrihej që në fund të vitit 2013 dhe rrjedhimisht kompania të niste pagesën e tatimit mbi fitimin në shtet, por kjo u shty tre herë. Megjithatë pas 2016, kaluan dhe 8 vjet të tjera. Por faktori r nuk u ngjit asnjëherë në vlerën 1, edhe pse Bankers ka fituar miliarda nga nafta. Kjo e bën këtë një nga rastet unikale, ku një vendburim i gatshëm nafte shfrytëzohet për plot 20 vjet nga një privat, pa paguar asnjë qindarkë tatim fitimi.

Në vitin 2011, Bankers sajoi 247 milionë USD shpenzime të parregullta, për të mos paguar 60 milionë USD taksa. Edhe një gjobë 100 milionë euro për mashtrime dhe manipulime, konfirmuar nga Gjykata e Lartë, u pezullua.

Mosmarrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Bankers nisi në vitin 2014, kur Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, (AKBN) institucioni që përfaqëson Shqipërinë në kontratën koncesionare, kreu një auditim të bilancit bankers dhe procedurave të prokurimit të kompanisë për vitin 2011 dhe konkludoi se pjesa dërrmuese e shpenzimeve të kompanisë për këtë vit ishin të parregullta.

Në një raport të hartuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, thuhet se Bankers duhet të derdhë në buxhetin e shtetit 60 milion dollarë tatim fitim, pasi përmes mashtrimit të bilanceve ajo ka deklaruar shpenzime të fryra dhe në shkelje të kontratës që ka me Shqipërinë. Për të shmangur taksat dhe fshehur fitimet, Bankers kishte sajuar 247 milion dollarë shpenzime.

Bazuar në auditimin e AKBN-së, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i dorëzoi Bankersit një pretendim për 60 milionë dollarë taksa të papaguara.

Batërdia është provuar nga disa raporte të KLSH. Është provuar nga AKBN, Albpetrol, nga disa vendime gjykatash të formës së prerë etj. Tatimet i bllokuan llogaritë kompanisë, e cila nuk pagoi kurrë taksa, pasi çdo vit manipulonte shpenzimet dhe kryente shpenzime të parregullta.

Kompania Bankers kërcënoi Edi Ramën dhe qeverinë e tij me ndërprerjen e nxjerrjes së naftës dhe me procese në Arbitrazh. Në vend që kompania të sekuestrohej dhe të ndiqej kudo në SHBA, Kanada dhe Kinë për zhvatjen e naftës me vlerë disa miliardë euro, mashtrime me pasoja të rënda dhe katastrofa mjedisore, Bankers kërcënoi hapur Edi Ramën.

Kompania paralajmëroi se nëse autoritetet shqiptare nuk do t’i zhbllokonin llogaritë ajo do të vazhdojë reduktimin e naftës së prodhuar deri në ndalimin e plotë të operacioneve të saj. Kërcënimi ishte si ai i hajdutit pasi e ke kapur duke të vjedhur në shtëpi. Por, pas këtij kërcënimi, pavarësisht kësaj deklarate, qeveria u tërhoq, ndërsa Bankers vijoi avazin e vjetër; Nxirr naftë nga nëntoka shqiptare dhe mos paguaj taksa.

Por duket se tani shteti ka vendosur të veprojë dhe policia, shoqëruar nga Tatimet, ka mësyrë  te  zyrat e kompanisë./ Pamfleti

Lini një Përgjigje