TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Shkurt 2026, 13:46

Banorët e Durrësit të pakënaqur nga takimi me Ramën: Na thanë pranoni, projekti do të bëhet!

Shkruar nga Pamfleti

Banorët e Durrësit të pakënaqur nga takimi me Ramën: Na

Banorët e prekur nga projekti TID në Durrës deklarojnë se kanë mbetur të pakënaqur nga takimi i zhvilluar në bashki, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Sipas tyre, autoritetet u kanë bërë të qartë se projekti do të zbatohet dhe se prishja e objekteve të parashikuara nuk do të ndalet.

Përfaqësuesja e banorëve, arkitektja Entela Koja, tha se në fillim të mbledhjes u është komunikuar se nuk ka alternativë tjetër përveç pranimit të projektit. Ajo theksoi se banorët nuk janë kundër zhvillimit, por kërkojnë rishikim për shkak të gabimeve që, sipas tyre, janë konstatuar në plan.

“Na u tha qartë se projekti do të bëhet dhe se jemi aty vetëm për të zgjedhur mes opsioneve të çmimeve dhe strehimit. Kërkuam rishikim të projektit, por na u përgjigjën se rishikim nuk do të ketë”, u shpreh Koja.

Gjatë takimit, banorët ngritën shqetësime edhe për disa objekte që pretendojnë se kanë vlerë historike. Sipas Kojës, përfaqësuesit e bashkisë janë shprehur se këto raste do të shqyrtohen.

Në emër të shoqatës së banorëve, ajo kërkoi anulimin urgjent të vendimeve të IKMT-së për prishjen e objekteve, duke paralajmëruar reagim në të kundërt.

“Nëse nuk anulohen vendimet e IKMT-së, banorët do të qëndrojnë në çdo objekt që do të preket. Pa këtë hap, çdo deklaratë e bërë sot nuk ka vlerë”, deklaroi arkitektja.

Sipas të dhënave të paraqitura nga përfaqësuesit e banorëve, 35 familje preken drejtpërdrejt në fazën e parë të projektit, ndërsa në total numri i subjekteve të prekura arrin rreth 100.

Lini një Përgjigje