TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Maj 2023, 11:42

Banorët e Bërxullës sërish në protestë: Nuk pranojmë teka të sekserëve, Rama e Balluku të nxjerrin vendim për pronat

Shkruar nga Pamfleti

Banorët e Bërxullës sërish në protestë: Nuk

Ditën e sotme banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në protestë pasi kundërshtojnë projektin e rrugës Thumanë-Kashar.

Ata shprehen se kanë kërkuar ballafaqim me kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje prej tyre.

Në protestën e ditës së sotme, banorët u shprehën se nuk pajtohen me çmimin e shpronësimeve dhe se nuk do të pranonin asnjë projekt nëse firma ndërtuese apo vetë kryeministri Edi Rama nuk takohet me ta për tu garantuar çmimin e drejtë.

“Ne jemi të pambrojtur. Shteti nuk na jep zgjidhje. I bëj thirrje kryeministrit dhe ministres së Infrastrukturës. I kemi kërkuar dialog disa herë, nuk kanë pranuar të vijnë të diskutojmë. I bëj thirrje të vijnë të prezantojnë planin për këta banorë, pronat dhe banesat tona.

Kemi pasur komunikim me Kadastrën por nuk na ka dhënë zgjidhje të plotë. Pasi tha se ishin bllokuar veprimet për shkak të fushatës. Duhet të jenë zhbllokuar tani se fushata mbaroi, zgjedhjet u krynë dhe ata duhet të fillojnë me certifikimin e pronave dhe banesave. Duhet të na jepet zgjidhje siç e parashikon ligji. Pronat të dëmshpërblehen me vlerën e tregut. Duke parë pasojat që na dha tërmeti.

I bëj thirrje shtetit të vendosë çmim të drejtë dhe të saktë për të gjitha banesat sepse nesër njerëzit do ngelen në qiell të hapur. Të mblidhen këshillat bashkiakë, MiE dhe të vendosë mbi trojet ku do  ndërtohen këto banesa që i prek ky segment rruge. Duhet të dalin me vendim mbi trojet dhe banesat që preken nga ky vendim”, u shprehën ata ndër të tjera.

Ndërsa një tjetër prej banorëve tha se as për fushatën e zgjedhjeve vendore, asnjë politikan qeveritar nuk ka shkuar t’u kërkojë votën për shkak se kanë qëllime të tjera ndaj tyre.  

“Nuk lanë vend të Shqipërisë për të shkuar për të kërkuar vota kurse këtu tek ne nuk u ka rënë rruga. Nuk e kanë qëllimin se nuk duan të vijnë jo, por që duan të vjedhin”-theksoi një tjetër banor.

Banorët pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë njoftim lidhur me projektin, e as për shpronësimet. Sipas tyre, kompania Gener2 që ka fituar koncesionin, ka nisur punën në terren pa pasur një leje ndërtimi dhe në kundërshtim me ligjin duke theksuar se dëmshpërblimi i ofruar është qesharak. Ata kanë kërkuar që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të nisë hetimet për projektin.

Protesta e tyre vijon tashmë prej 7 muajsh, duke përshkallëzuar herë pas here në bllokimin e njërit kah të rrugës së Rinasit dhe përplasjeve me policinë.

banorët e bërxullës protestë rama

Lini një Përgjigje