
Ministri grek i Shtetit Stavros Papastavrou ka vizituar Shqipërinë me qëllimin për të takuar kryetarin e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri që ndodhet në burg.
Takimi u zhvillua në qelitë e paraburgimit të Durrësit, ku Beleri vijon të jetë në paraburgim prej gjashtë muajsh.
Në një prononcim për mediat Stavros Papastavrou tha se erdhi në Shqipëri për t’i treguar mbështetjen Belerit dhe se Himara është e vetmja bashki në Europë ku kryetari i humbur vazhdon ta drejtojë dhe se kryebashkiaku i zgjedhur po i mohohet e drejta për t’u zgjedhur.
“Erdha e vizitova kryebashkiakun e Himarës që mbahet në burg këtu e 7 muaj. Fatkeqësisht në Himarë, vendimi i sovranit për votën nuk po zbatohet akoma. Himara është e vetmja bashki në Europë ku kryetari i humbur vazhdon të drejtojë bashkinë dhe kryetarit të zgjedhur po i mohohet e drejta për t'u zgjedhur. Ne i gjendemi pranë Fredi Belerit për një gjyq të drejtë dhe duam që prezumimi i pafajësisë së tij të respektohet nga drejtësia shqiptare. Duhet gjetur një zgjidhje në kuadrin e së drejtës europiane dhe shtetit të së drejtës dhe ëndrrës europiane që të kthehet normaliteti në bashkinë e Himarës”, u shpreh ministri grek.
Zyrtari i lartë grek u takua me Belerin një ditë para seancës së radhës të gjyqit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili është burgosur nën akuzën për korrupsion në zgjedhje.
Athina zyrtare ka kërkuar me forcë që Beleri të lejohet të bëjë betimin dhe ka paralajmëruar me bllokimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE për shkak të çështjes “Beleri”. Ky konflikt ka përkeqësuar marrëdhëniet mes dy qeverive ndërsa në muajin gusht gjatë një proteste të mbajtur në Himarë për lirimin e Fredi Belerit morën pjesë kryebashkiaku i Athinës dhe ai i Selanikut ku bërën thirrje për lirimin e tij.
Shumë analistë e quajtën këtë protestë si ndërhyrje dhe presion të shtetit grek.
Lini një Përgjigje