
Gazetari Basir Çollaku duke folur rreth dosjes metamorfoza, tha se në të ka emra deputetësh dhe ministrash të përfshirë të cilët sipas tij kanë bashkëpunuar me njerëzit e krimit të organizuar dhe të trafikimit të lëndëve narkotike.
Në një intervistë për ‘Euronews Albania’, ai tha se SPAK duhet të hetojë lidhjet e njerëzve të pushtetit me ata të drogës, pasi sipas tij, paratë e pastruara të këtyre të fundit,” nuk dalin nga lavatriçja”, por kryesisht nga ndërtime e investime të tjera për të cilët duhet një bashkëpunim me njerëzit e pushtetshëm.
“Metamorfoza nuk na ka premtuar gjë. Ky lloj hulumtimi i prokurorisë ka nga 2016-2021, ka gati 6 vite. Aty ka emra deputetësh, ministrash. Aty ka emra ministrash aktual, deputetësh aktual, ka emra gjyqtarësh të të gjitha niveleve, nga gjykata kushtetuese, KPGJ, KPL, KPA, ka emra plot aty.
Kjo nuk zhduket, por këta njerëz me kë komunikojnë? Merrni ata burrat dhe gratë e heroinës dhe kokainës, ku ikin paratë e tyre? Ku bëhet pastrimi i parave, në lavatriçe apo në lanë. Shkon në ndërtime, në investime resortesh, investitor strategjikë e të tjera. Po ka një gjë nga SPAK që nuk e kuptoj. Ata kanë dijeni për gjyqtarë, prokurorë që janë pjesë e këtij investigimi. Atyre do u shkojnë dosjet më vonë, por si do i dënojnë ata kolegët e tyre?”, tha gazetari.
Lini një Përgjigje