
Politologu Roland Lami ka folur për arrestimin e Ilir Metës. Teksa u ndal te puna e SPAK, ai tha se nëse më parë ishte e paimagjinueshme që njerëz të rëndësishëm t’i shihje para drejtësisë, sot kjo po ndryshon. Sipas Lamit, struktura e gjyqësorit ka filluar të punojë.
“Pushtetin e gjyqësorit, deri dje e kemi pasur të paralizuar. Këtë lloj realiteti nuk jemi njohur pavarësisht raporteve që vinin nga faktori ndërkombëtar. Sot struktura e gjyqësorit, pushteti i tretë ka filluar të punojë, të vihet në lëvizje. Pavarësisht se jemi futur në periudhën e SPAK. Ajo që është normalitet në Perëndim tek ne ka qenë mungesë dhe tani ka filluar të funksionojë. Është dyshuar në lidhje me objektivat e kësaj reforme, ja ku jemi sot njerëz të rëndësishëm bëjnë paradën në SPAK, deri dje ishte e paimagjinueshme, utopi. Fakti që jemi futur në këtë realitet është një hap cilësor, por kjo nuk do të thotë që të kthehet në favorizuar apo disfavorizues”, tha ai për “Abc News”.
Ndërsa juristja Brizida Gjikondi theksoi se tani po përpiqet që vëmendja të largohet nga dosja dhe të spostohet tek mënyra e arrestimit të Metës.
“Ka shumë media që kanë marrë të mira nga ky çift…Dhe media është kthyer në një hinke, pasi një pjesë po i kthejnë borxhin imoral dhe kërkon shqiptarëve t’u mbushë mendjen për një gjë që nuk ka nevojë fare. Dhe po merren të gjithë me mënyrën se si u ndalua dhe nuk merren me dosjen. Por kjo është mënyrë dinake dhe është vetëm maja e ajsbergut…Pra nuk po merret njeri me veprat e kësaj strukture të mirë organizuar”, u shpreh ajo.
Lini një Përgjigje