
Ilir Rrapaj, biznesmeni kontrovers i koncesionit më të përfolur në shëndetësi, atij të Sterilizimit, që mori udhë që me qeverisjen e parë të Rilindjes, është gjetur nga policia në Dhërmi dhe është shpënë drejt qelisë me urdhër të SPAK. Së bashku me Rrapajn, që sipas dëshmive të para, pati refuzuar të paraqitej pranë Prokurorisë së Posaçme, prandaj u mor edhe forcërisht pas një urdhri të dalë që në 23 qershor, pra bashkë me të janë proceduar edhe shtatë zyrtarë të tjerë. Për koncesionin që në start duhet të kushtonte 100 milion euro, është marrë i pandehur edhe ish-zv/ministri i Shëndetësisë Klodjan Rjepaj. “Arrest shtëpie” është vendosur për Saimir Kadiun drejtor ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike po në këtë institucion.
Kirurgu Arben Gjata, shef Kirurgjie dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë është në detyrim paraqitjeje. E njëjta masë është vendosur për Naile Ajazin, Genc Byrazerin dhe Petro Mersinin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë. Akuzat që rëndojnë mbi ta, janë falsifikim dhe shpërdorim detyre.
Që në fillim të vitit 2015, kur me firmë të ish-Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja u hap procedura për këtë koncesion, qëllimi i të cilit ishte furnizimi i sallave të operacioneve në spitale publike me mjetet që i duheshin kirurgëve, shumëkush në media, në opozitë dhe midis mjekëve foli për një grabitje. Arsyet ishin disa. Së pari se koncesioni po i jepej kompanisë së Rrapajt e cila nuk ishte e specializuar në këtë fushë. Ajo kishte një kapital prej 1 mije eurosh, ishte e regjistruar në Prishtinë dhe ky biznesmen suksesin më të madh e kishte arritur me një firmë ndërtimi me një punëtor të siguruar në Perugia të Italisë. Ai ishte kthyer në Shqipëri falë njohjeve me Ilir Beqen. Ish ministri në atë kohë fillimisht i mohoi njohjet me emigrantin e Italisë, por vetëm pasi agjencia Birn i zbuloi fotot e përbashkëta Beqja e ndryshoi versionin.
Që në fillim, dhënia e koncesionin 100 milionë euro ngjalli debate, pasi kompania që e humbi garën u ankua se Investital LLC e Rrapajt kishte dhënë një ofertë që e tejkalonte fondin limit. Kompania konkurente pretendonte se zgjedhja që bëri Ministria e Shëndetësisë në 10 vite, do t’i kushtonte shtetit afro 20 milionë euro më shumë.
Por lidhjet e këtij biznesmeni kontrovers që ka mbaruar shkollën për mjekësi dhe u kthye nga Italia me ardhjen e Rilindjes në pushtet, ku mori pjesë në 22 nëntor 2013, në nismën “Thuaj Po Shqipërisë”, të mbajtur në pallatin e Brigadave në Tiranë”, të organizuar nga qeveria nuk kanq qenë vetëm me ish ministrin.
Atij, gjatë këtij aktiviteti i ka mbetur kujtim edhe një foto me Edi Ramën që atëherë ndërmori inisiativën për të kthyer ajkën e mjekëve në Shqipëri. Në fakt u kthye vetëm Rrapaj që do përfitonte nga taksat e shqiptarëve. Edhe pasi koncensioni iu dha Investital LLC, ku ai zotëronte 40%, problemet nuk mbaruan.
Kur koncesioni filloi të aplikohej mjekët vunë alarmin. Ata ankoheshin se kostot ishin shumë të larta dhe kishte shpërdorim, sepse për të përdorur qoftë edhe një vegël të vetme paguhej i gjithë seti i sevrirur nga kompania private që kushtonte mesatarisht 400 mijë lekë. Pra privati i merrte këto para edhe kur behej një heqje e thjeshtë nishani, apo një lindje normale në maternitet, që nuk ka nevojë për shumë pajisje. Se sa absurde ishte kjo situatë e paraqiti thjeshtë kirurgu Artan Koni, që në kuadër të Nisma Thurrje qe nga të parët, që e denoncoi këtë koncesion në SPAK.
Ai atëherë jepte një shembull të thjeshtë. Nëse një kirurg paguhet në shtet për një operacion afërsisht 15 euro, veglat që përdor kushtojnë afërsisht dhjetë fish me tepër. në bazë të llogarive të tij, nëse sterilizimi do bëhej nga vetë spitalet shteti do paguante në dhjetë vjet vetëm atë që i jep kompanisë së Ilir Rrapajt në një vit. Aq të mëdha u bënë kostot e këtij konçensioni grabitës, sa në një moment Ministria e Shëndetësisë i kërkoi kirurgëve të planifikonin operacionet dhe të ulnin numrin e tyre duke i vënë mjekët në presion që të mos vendosnin të lirë për fatin e pacientëve.
Shumë kirurgë iu kthyen në klandestinitet metodave të vjetra duke sterilizuar pajisjet në autoklavat e dikurshme të spitaleve. Natyrisht kësaj shifre që po rëndonte në mënyrë marramendëse mbi buxhetin dhe që e kishte kundërshtuar pikërisht për këtë arsye edhe ish ministri i Financave Shkëlqim Cani, rilindasit i përgjigjeshin me argumente estetikë.
Edi Rama u paraqit në emisionin “Të Paekspozuarit” përballë Ylli Rakipit duke dashur të infuencojë publikun me një set të lashtë veglash operatore, duke dashur të nënvizojë faktin se ku kemi qenë, dhe sa larg kemi shkuar.
Edhe njëri nga anëtaret e komisionit të tenderit, që sot është kufizuar me detyrim paraqitje nga SPAK, rektori i Mjekësisë, Arben Gjata, kur u pyet për kostot marramendëse që po shkaktonte ky koncesion iu përgjigj agjensisë Birn: “Të krahasosh kushtet me të cilat operojmë sot, me ato që kishim para dhënies me koncension të sterilizimit, është njësoj si të kesh një supermakinë e të thuash se gazi ‘69 i kohës së Enverit ishte më i mirë se harxhonte pak”.
Por ndërkohë që rilindasit bënin propogandë, kostot fluturonin. Që në vitet e para buxheti rëndohej me 3 milionë euro më shumë sesa parashikimi. Dhe e gjitha kjo u bë në emër të filozofisë së PPP-ve që sipas qeverisë Rama, do rrisnin shërbimet duke kursyer. Kjo u bë për t’i dhënë një koncesion një emigranii të panjohur, që Edi Rama dhe Ilir Beqja e kishin njohur më parë. Kjo u bë ndonëse ish Ministri i Financave, Shkëlqim Cani paralajmëroi për rrezikun e rritjes së kostove. Kjo u bë ndonëse kompania konkurente i denoncoi parregullsitë e garës. Kjo u bë duke i falur kompanisë së Ilir Rrapajt edhe stacionin modern të sterilizimit te Nënë tereza për të cilin shteti shqiptar pati paguar 17 milionë lekë. Pra qëllime e këtij koncesioni janë të qarta. Pyetja e vetme që mbetet është: Deri ku do ketë guxim të shkojë SPAK? /Lapsi.al
Lini një Përgjigje