TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Dhjetor 2024, 07:37

Arratisja e ish zv.Kryeministrit të Maqedonisë, mediat fqinje: Artan Grubi fshihet në një resort në Durrës

Shkruar nga Pamfleti
Arratisja e ish zv.Kryeministrit të Maqedonisë, mediat fqinje: Artan
Artan Grubi

Mediat në Shkup po i kushtojnë mjaft vëmendje arratisjes së ish-zv.Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar pas lëshimit të një urdhër-arresti për çështjen e abuzimeve me “Lotarinë Kombëtare”. Fillimisht u tha se Grubi ishte arratisur për në Kosovë, por mediat shkruajnë tani se ai mund të ndodhet në Shqipëri.

Portali maqedonas “Focus” ka publikuar dëshminë e biznesmenit Arsim Papraniku që shërben edhe si Konsull Nderi i Kosovës në RMV. Ai ka rrëfyer në polici se më 15 dhjetor e ka shoqëruar me makinë Grubin për në Tiranë, ku kanë pirë kafe dhe më pas e kanë lënë në një hotel pranë stadiumit. Pas kthimit në Shkup nëpërmjet pikës doganore të Qafë Thanës Papraniku është thirrur në komisariat për të dhënë shpjegime ku ka thënë se nuk e dinte që Grubi ishte në kërkim nga autoritetet.

Sipas burimeve të televizionit TV21, Grubi e ka lutur sipërmarrësin që ta dërgojë për Tiranë, “ku duhej të takohej me një grup avokatësh me të cilët do të fillonte procedurat për largimin e tij nga lista e zezë e SHBA-ve”. Udhëtimi ka qenë dakorduar që dy ditë më parë. Ata kanë udhëtuar herët në mëngjes, rreth orës 8, pasi kanë blerë byrek dhe kos në furrën “Bereket”.

Në vendkalimin kufitar të Bllacës, ka pasur disa makina, por konsulli i ka dorëzuar pasaportat tek polici dhe e ka pyetur se pse ka shumë radhë. Polici i është përgjigjur se nuk kanë “personel të mjaftueshëm”. Pasaporta e konsullit është mbajtur 10 sekonda kurse e Grubit vetëm 2 sekonda. Trau ka qenë i hapur dhe kanë kaluar pa problem. E njëjta gjë ka ndodhur edhe gjatë hyrjes në Kosovë.

Sipas RTV21, ata kanë ndjekur rrugën nga Prishtina për në Tiranë. Disa kilometra para Prishtinës, Grubi ka filluar të marrë telefonata se ndaj tij kanë nisur procedurat dhe se kërkohej që ai të dorëzohej. Sipërmarrësi thuhet se i ka propozuar që ai të kthehet, por Grubi ka qenë i pavendosur dhe ka insistuar që të vazhdojnë drejt Tiranës.

Gjatë rrugës, sipas TV21, disa herë ata kanë ndaluar në karburante ku Grubi ka shfrytëzuar tualetin. Në Tiranë, Grubi është lënë në qendrën e qytetit, kurse sipërmarrësi është kthyer në shtëpinë e tij në një resort në Durrës. Mëngjesin e ardhshëm, rreth orës 6, sipërmarrësi është kthyer në Shkup.

Sipas të njëjtave burime Grubi thuhet se po qëndron pranë detit Adriatik, në zonën e Hamallajt në Durrës. Edhe zëvendëskryeministri aktual i RMV-së, Izet Mexhiti tha në një intervistë për “Ora News” se sipas informacioneve të tij, Grubi nuk ndodhej më në Kosovë, por në Shqipëri. Për këtë çështje ka reaguar edhe kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski që tha se nuk dëshiron të spekulojë nëse Grubi është në Shqipëri apo në Kosovë, por fakti sipas tij “është se ai nuk ishte i pastër si loti pasi përndryshe nuk do të kishte ikur nga drejtësia”. 

artan grubi durrës

Lini një Përgjigje