
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiut Erion Veliaj për heqjen e sekuestros së celularit.
Celulari iu sekuestrua kryebashkiakut Veliaj me cilësinë e provës materiale.
Veliaj, i cili ndodhet në burg që prej datës 10 shkurt pretendon se celulari që i është sekuestruar ditën e arrestimi është bërë në mënyrë të padrejtë.
Një ditë më parë, GJKKO la në qeli Veliajn, si edhe rrëzoi edhe ankimin e biznesmenit Elman Abule, i cili mbetet në arrest shtëpie.
"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 24.04.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 107, datë 18.04.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit E.V., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 132 akti, datë 04.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për kundërshtimin e vendimit të prokurorit për vleftësimin e sekuestros”, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit 132 Akti, datë 04.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij", thuhet në njoftim.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt, i akuzuar për dy vepra penale, atë të “korrupsionit pasiv” në 9 raste dhe “pastrim parash”.
2 ditë më vonë, u verifikua masa e “arrestit me burg” ndaj tij në GJKKO, ndërkohë që për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa u caktua masa e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se krijuan një skemë korruptive mes kompanive dhe OJF-ve të bashkëshortes dhe një grupi biznesmenësh rreth tij me vlerë transaksionesh prej më shumë se 1 milion euro.
Lini një Përgjigje