TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Janar 2026, 19:33

Amant Josifi vijon të mbetet i paprekshëm, Gjermania nxjerr para drejtësisë ortakun e tij!

Shkruar nga Pamfleti
Amant Josifi vijon të mbetet i paprekshëm, Gjermania nxjerr para
Amant Josifi dhe lidhjet me Olsi Ramën dhe Olta Xhaçkën

Gjermania gjykon ‘Mishkën’ për mashtrim 230 mln euro me call-centerat, Josifi shijon Dubain

Autoritetet gjermane kanë ngritur zyrtarisht akuza kundër Mikheil Biniashvili, një shtetas me nënshtetësi izraelite dhe gjeorgjiane, i dyshuar si koka e rrjetit ndërkombëtar të mashtrimit kibernetik të njohur si “Milton Group”. Rrjet ku bënte pjesë edhe Amant Josifi.

Lajmi është bërë publik nga mediat gjermane, të cilat raportojnë se skema kriminale ka përfshirë mbi 1.000 viktima në vendet gjermanofolëse dhe ka shkaktuar një dëm financiar prej mbi 230 milionë euro.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme të Bambergut dhe Qendrës për Krimet Kibernetike të Bavarisë, Mikheil Biniashvili, i njohur edhe me nofkën “Mishka”, ka qenë në krye të një rrjeti që operonte përmes call center-ave në Shqipëri, Gjeorgji, Maqedoni të Veriut dhe Ukrainë, duke ofruar platforma të rreme investimi për qytetarë evropianë.

Mediat raportojnë se ai është arrestuar në Armeni në gusht 2023 dhe është ekstraduar në Gjermani në maj 2024, ku ndodhet aktualisht në paraburgim në një burg të sigurisë së lartë në Bavari.

Hetimet zbulojnë se Biniashvili ka drejtuar një call center me rreth 600 punonjës në Tiranë, i cili ka operuar të paktën 28 platforma mashtruese dhe ka dëmtuar qindra qytetarë në Gjermani, Austri dhe Zvicër. Ai akuzohet gjithashtu për zhvillimin e një softueri të quajtur “PumaTS”, i cili u përdor nga mbi 400 faqe mashtruese financiare në internet.

Emri i Amant Josifit në skemën e mashtrimit

Bëhet fjalë për të njëjtin rrjet ku ka qenë pjesë dhe Amant Josifi. Por ndryshe nga ortaku i tij Mikheil Biniashvili, Josifi ka arritur t’i shpëtojë drejtësisë.

Ish-këshilltari i ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, dhe ish-ortaku në biznes i vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, aktualisht jeton në Dubai dhe përpiqet të shpëtojë nga ekstradimi në Spanjë. Në periudhën midis 2015–2022, bashkë me ortakun e tij, Mikheil Biniashvili, ata ndërtuan një platformë kibernetike për mashtrim, duke shfrytëzuar besimin e qytetarëve të Evropës për të përvetësuar llogaritë e tyre.

Në hetimeve të institucioneve ligjzbatuese gjermane janë përfshirë edhe persona të tjerë, përfshirë programues kompjuterikë, të cilët ishin në dijeni të këtij mashtrimi. Autoritetet gjermane po hetojnë me seriozitet pas sinjalizimeve dhe denoncimeve të pranuara nga qytetarë të ndryshëm, të cilët u shfrytëzuan dhe u dëmtuan nga këto call center deri në pikën që lanë të gjithë pasurinë e tyre aty.

Gjykimi i Mikheil Biniashvilit do të nisë më 15 janar në Gjykatën e Landit në Bamberg. Ai përballet me akuza për mashtrim të organizuar dhe përfitime në formë grupi kriminal. Dënimi i mundshëm varion nga 1 deri në 10 vite burg për secilin rast mashtrimi.

Ndërkohë Josifi është shpallur në kërkim nga Spanja. Vetë autoritetet shqiptare janë dorëzuar përballë tij. “Ka një marrëveshje se cilët do procedojë SPAK, cilët do procedojë Spanja, cilët Gjermania dhe cilët Franca, dhe është rënë dakord që për Amand Josifin do procedojë Spanja, siç është bërë, ka proceduar Spanja për të. Ne kemi proceduar për disa subjekte të tjera, të cilët janë arrestuar, janë hetuar dhe janë gjykuar, por kjo është pjesë normale e bashkëpunimit me autoritetet e huaja, sidomos në kuadër të skuadrës së përbashkët”, deklaronte në Kuvend ish-kreu i SPAK, Altin Dumani pak javë më parë.

Më 21 gusht, në Dubai u arrestua Erlind Çekaj, i shpallur në kërkim nga SPAK, si pjesë e grupit të sktrukturuar kriminal ruso-maltez “Milton”.

I arrestuari Erlind Çekaj, administronte qendrën Call-Center “IT PumaTS/SM Company”, një nga 32 qendrat që kishte në pronësi Amant Josifi në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë, Shkodër, Korçë, Gjirokastër.

Ashtu si Erlind Çekaj, dhe pronari Amant Josifi u arratis e jeton në Dubai, qysh prej datës 22 nëntor 2022, kur me ndihmën e policisë shqiptare u fsheh dhe u lejua të kalonte kufirin në Rinas, duke i shpëtuar operacionit “Stuhia”, që Policia e Spanjës, EUROPOL e EUROJUST kryen në Shqipëri me policinë shqiptare e SPAK.

Por SPAK e policia, jo vetëm nuk e arrestuan Amant Josifin e Call-Center, por e fshehën dhe prej afro 2 vitesh nga arratisja e tij në Dubai, nuk po e shpallin në kërkim, megjithëse ai ka drejtuar grupin kriminal, që vidhte shtetas të vendeve të BE nëpërmjet rrjetit Call-Center.

Deri tani, SPAK ka arrestuar 57 anëtarë të grupit “Call-Center” të Amant Josifit e ka në kërkim 21 të tjerë, ndërsa bosin e tyre nuk e ka shpallur në kërkim, megjithëse e ka proceduar penalisht, ndërsa më 10 shkurt 2024. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje