
Prej 2 javësh aparatura e rezonancës në Urgjencën e Re në QSUT nuk është në funksion.
Qytetarët aktualisht po e marrin këtë shërbim vetëm te Neurologjia, çka ka sjell edhe fluks të pacientëve dhe radhë të gjata në pritje, duke u detyruar këta të fundit ti drejtohen shpesh herë edhe spitaleve private të vendit.
Aparati nuk është në funksion për shkak të një defekti teknik dhe sipas burimeve brenda QSUT, aparatura e rezonancës është prishur edhe dy herë të tjera brenda vitit dhe është rregulluar, por nuk saktësojnë sa kohë ka qenë jashtë shërbimi në këto 2 herë që ka qenë jashtë funksioni.
Ndërsa sipas burimeve bluzat e bardha, thonë se qytetarët prej rreth 1 viti vijojnë ta marrin këtë shërbim tek Neurologjia dhe jo në Urgjencën e Re të QSUT.
Vajza e një pacienteje tha se për rezonancën mamaja e saj ka pritur shumë ditë dhe i është bërë pas shumë debatesh, megjithëse e kishte urgjente.
‘Kemi pritur me ditë për rezonancën dhe mbas shumë fjalësh e kemi bërë dje rezonancën. E kemi bërë te neurologjia. Nuk na e bën që atë natë, kemi gati 5 ditë. Na thonin që ka shumë rrallë dhe fluks njerëzish. E kemi menduar privatin por nuk na lejuan dhe kemi pritur. Ka pasur një paciente të dhoma ngjitur dhe tha se bëjnë shumë fjalë për pjesën e rezonancës. Mami është me zemrën dhe diabetin. Na duhej rezonanca me patjetër, pasi kishte një shqetësim pardje dhe e kemi pasur të detyrueshme për ta bërë', u shpreh ajo.
Sa i takon defektit teknik të aparatit mësohet se ka qenë jashtë shërbimi për shkak se firma që kujdeset për mirëmbajtjen e saj nuk i kishin bërë kontratën e mirëmbajtjes.
Aktualisht është lidhur kjo kontratë dhe po punohet për ta rregulluar, por, ende nuk dihet se kur do të rivihet në funksion. /Report TV
Lini një Përgjigje