Kontrolli në kampin Ashraf 3, në Manzë ditën e djeshme është bërë në kuadër të procedimit me numrër 130/2023 të SPAK.
Ky hetim është regjistruar për një sërë veprash penale ku dyshohet se janë përfshirë anëtarë të komunitetit MEK të strehuar në Shqipëri.
Burime nga Prokuroria e Posaçme bëjnë me dije se rreth 150 pajisje, ndër to njësi kompjuterike, laptop dhe USB që janë sekuestruar, pritet t’i nënshtrohet një ekspertimi.
Pritet të mësohet nëse në këto pajisje apo nëpërmjet tyre është mbledhur, përdorur, transferuar apo keqpërdorur informacion i enkriptuar apo të dhëna të ndryshme.
Ndërkohë edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar për aksionin në kampin MEK.
DASH mbështeti aksionin e Policisë Shqiptare në kampin e muxhahedinëve iranianë në Manzë të Durrësit dhe ka thënë se Shqipëria ka të drejtë të hetojë çdo veprimtari brenda territorit të tyre.
“Policia Shqiptare na ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjin. Ne mbështesim të drejtën e Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme që është e paligjshme brenda territorit të saj. SHBA nuk e sheh MEK-un si një lëvizje të qëndrueshme demokratike që përfaqëson popullin iranian. Departamenti i Shtetit ka shqetësime serioze për organizatën e MEK, përfshirë edhe akuzat për abuzime të kryera kundër anëtarëve të saj. Qeveria e SHBA nuk ofron asnjë trajnim ose mbështetje për MEK, nuk kontribuon me fonde dhe nuk mban kontakte thelbësore përveç çështjeve që kanë të bëjnë me zhvendosjen e MEK, gjë e cila është përfunduar në vitin 2016”, thuhet në reagimin e një zëdhënësi të DASH.
Dje me urdhër të SPAK dhe GJKKO, forca të shumta policore mësynë në kampin “Ashraf 3” të muxhahedinëve në Manzë për të kryer kontrolle.
Anëtarët e kampit të MEK u revoltuan me ndërhyrjen e policisë dhe u përplasën me ta. Muxhahedinët pretenduan akuzuan se një person i komunitetit të tyre u vra, por Policia e Shtetit i hodhi poshtë këto pretendime duke thënë se personi në fjalë kishte humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak dhe se forcat policore nuk kishin ushtruar dhunë ndaj askujt.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku thanë se policia u përball me rezistencë, por nuk anëtarët e MEK nuk u dhunuan. Ndër të tjera, ministri Çuçi tha se muxhahedinët kanë shkelur marrëveshjen e vitit 2014 kur u pranuan në Shqipëri.
Lini një Përgjigje