
Çahet diga që furnizon me ujë hidrocentralin e Sasaj.
Është çarë diga e Hidrocentralit në Bunec të Lukovës duke krijuar rrezik për përmbytje.
Si pasojë e shpërthimit të digës, është bllokuar rruga nacionale Sarandë – Himarë. Ngjarja ka ndodhur sot në mesditë. Hidrocentrali i fshatit Sasaj furnizohet me ujë nga burimi i lumit të Kalasë dhe prodhon energji elektrike për zonën bregdetare të Himarës.
Aktualisht rruga nacionale, Lukovë- Bunec kalohet vetëm nga automjete të rënda. Furnizimi me ujë i kanalit është ndërprerë nga diga në burimin e lumit Kalasë.
Mësohet se uji ka hyrë në 2 biznese Bar-Restorante në Bunec, ndërsa nga vërshimi i ujit, dëme materiale kanë pësuar edhe 10 biznese të tjera.
Policia e Himarës bën me dije se po punohet për evakuimin e çdo personi që mund të jetë në rrezik.
"Himarë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 12:38, në Bunec, Lukovë, dyshohet se është çarë diga e hidrocentralit, duke krijuar rrezik për përmbytje.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe emergjencave civile, të cilat po punojnë për të siguruar evakuimin e çdo personi që mund të jetë në rrezik. Deri tani janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa situata po monitorohet nga afër për të shmangur pasoja të tjera.
Policia fton qytetarët që të shmangin lëvizjet në zonën e rrezikuar dhe të raportojnë menjëherë për çdo rast emergjence", thuhet në njoftimin e policisë.


Lini një Përgjigje