Gjykata e Fierit ka lënë në burg kreun e ‘Bankers Petroleum’. Kinezi Hongping Xiao, u arrestua pas një aksioni ndaj kompanisë së naftës, i vënë në akuzë për pastrim parash dhe evazion fiskal. Sipas prokurorisë, prej 20 vitesh bankers deklaron humbje dhe shmang detyrimet tatimore, por në realitet ka shumë fitime.
Në fuqi janë lënë masat e sigurisë edhe për 8 personat e tjerë. Vijojnë të jenë në kërkim 5 persona të tjerë, shtetas kinezë.
Që nga viti 2004, kompania Bankers ka hapur rreth 1 mijë puse të rinj nafte në zonën e Patoz-Marinëz. Për 20 vite, Bankes ka prodhuar rreth 13 milionë ton naftë.
Të ardhurat e kompanisë nga prodhimi i naftës janë mbi 4 miliardë Euro, gati sa buxheti vjetor i Shqipërisë. Gjatë 20 viteve, kompania Bankers Petroleum Albania ka paguar zero tatim mbi fitimin në buxhetin e shtetit shqiptar.
Marrëveshja parashikon që Bankers Petroleum Albania është e detyruar që të paguajë çdo vit tatim mbi fitimin, në masën 50 % të fitimit.
Bankers Petroleum ka manipuluar çdo vit shpenzimet, duke sajuar dhe fryrë shpenzimet. Pas 20 vitesh shpenzimet e Bankes tejkalojnë të ardhurat.
Në vitin 2011, Bankers sajoi 247 milionë USD shpenzime të parregullta, për të mos paguar 60 milionë USD taksa. Edhe një gjobë 100 milionë euro për mashtrime dhe manipulime, konfirmuar nga Gjykata e Lartë, u pezullua.
Mosmarrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Bankers nisi në vitin 2014, kur Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, (AKBN) institucioni që përfaqëson Shqipërinë në kontratën koncesionare, kreu një auditim të bilancit bankers dhe procedurave të prokurimit të kompanisë për vitin 2011 dhe konkludoi se pjesa dërrmuese e shpenzimeve të kompanisë për këtë vit ishin të parregullta.
Në një raport të hartuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, thuhet se Bankers duhet të derdhë në buxhetin e shtetit 60 milion dollarë tatim fitim, pasi përmes mashtrimit të bilanceve ajo ka deklaruar shpenzime të fryra dhe në shkelje të kontratës që ka me Shqipërinë. Për të shmangur taksat dhe fshehur fitimet, Bankers kishte sajuar 247 milion dollarë shpenzime.
Bazuar në auditimin e AKBN-së, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i dorëzoi Bankersit një pretendim për 60 milionë dollarë taksa të papaguara.
Lini një Përgjigje