
Prej pesë ditësh, tymi i landfillit ka mbuluar zonën, ndërsa reagimi institucional ka qenë i dobët dhe i fragmentuar. Vetëm kryebashkiaku i Librazhdit u paraqit në mbledhjen urgjente...
Zjarri që ka përfshirë prej pesë ditësh landfillin e Elbasanit ka krijuar një situatë alarmante mjedisore e shëndetësore për komunitetin përreth. Pavarësisht ndërhyrjeve të shumta për të vënë nën kontroll flakët, vatrat vijojnë të jenë aktive në thellësi, duke prodhuar tym të dendur dhe ndotje masive të ajrit. Ekspertët e kanë cilësuar situatën si një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik.
Operacioni për shuarjen e zjarrit është përballur me mungesë të theksuar të materialeve inerte. Deri më tani janë hedhur mbi 20 mijë metër kub dhera, ndërkohë që gjatë natës së fundit janë sjellë nga Tirana rreth 50 kamionë të ngarkuar. Aktualisht janë të angazhuara 30 forca dhe 7 mjete zjarrfikëse, të cilët po punojnë pa pushim për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Për të koordinuar përballimin e emergjencës, Prefekti i Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, thirri një mbledhje urgjente me të gjithë kryetarët e bashkive të qarkut. Por tabloja e takimit ishte sa zhgënjyese aq edhe domethënëse; nga 7 bashki, vetëm kryebashkiaku i Librazhdit ishte i pranishëm fizikisht, ndërsa të tjerët u përfaqësuan nga staf teknik. Në mbledhje morën pjesë edhe Shtabi i Emergjencave Civile dhe koloneli Vladimir Nasufi.
Bejtja kërkoi përdorimin e çdo burimi financiar në dispozicion të bashkive për të krijuar bazat e nevojshme teknike për menaxhimin e rasteve të tilla. Ndërkohë, koloneli Nasufi vuri në dukje mangësitë në ndërhyrjen fillestare, duke theksuar se operacioni duhet të kishte pasur një drejtim të vetëm dhe të qartë.
Ndërsa institucionet e gdhihen nëpër takime, tymi dhe era e helmit vijojnë të mbysin qindra banorë që nuk kanë marrë asnjë mbrojtje reale. Pasojat shëndetësore janë të pashmangshme dhe çdo vonesë institucionale është thjesht një dëm i shtuar për komunitetin.
Ky është vetëm një tjetër shembull i dështimit institucional përballë emergjencave që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Ndërsa tymi ngrihet mbi Elbasan, heshtja e shumë kryebashkiakëve bie rëndë mbi ndërgjegjen publike.
Lini një Përgjigje