
Europa parashikohet të përballet me mot të ftohtë në ditët në vijim. Në Britani dhe Gjermani ka nisur bora dhe temperaturat janë ulur. Por si do të jetë moti në Shqipëri?
Për javën që presim vendi ynë parashikohet të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndueshme për shkak të masave ajrore të ftohta e të lagështa me origjinë veriperëndimore.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak ditën e hënë, ditën e enjte e pjesërisht ditën e martë moti pritet që moti të jetë me kthjellime dhe alternime vranësirash.
Ditën e mërkurë, dhe ditën e premte moti pritet të jetë i vranët e intervale kthjellimesh të herëpashershme.
Vranësirat pritet të pasohen me reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit ndërsa në zonat veriperëndimore e jugperëndimore reshjet pritet të jenë me intensitet mesatar e hera –herës të lartë shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Në lartësitë mbi 1000-1200m reshje bore me intensitet të ulët, ndërsa në Alpe me intensitet deri mesatar.
Era pritet të jetë me drejtim verilindje- juglindje me shpejtësi mesatare deri në 8m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare hera-herës era fiton shpejtësi deri në 14m/sek.
Lini një Përgjigje