
Fokusi kryesor, ka qenë angazhimi dhe sfida e mazhorancës qeverisëse për zgjedhjet parlamentare të 2025.
Ka përfunduar mbledhja e qeverisë e thirrur nga kryeministri Edi Rama në Dajt. Për më shumë se 8 orë, ministrat, drejtorët e institucioneve të varësisë dhe kupola drejtuese e Partisë Socialiste në Parlament kanë raportuar para kryeministrit Edi Rama në rezidencën qeveritare në Dajt.
Pas mbylljes së takimit Rama nuk ka zgjedhur të flasë për gazetarët që kanë qenë jashtë rezidencës gjatë kohës së mbledhjes, por është larguar direkt me automjetin e tij, së bashku me të u larguan edhe ministrat.
Pavarësisht se takimi ishte me dyer të mbyllura dhe tepër hermetike sa i takon nxjerrjes së informacioneve, mësohet se fokusi kryesor, ka qenë angazhimi dhe sfida e mazhorancës qeverisëse për zgjedhjet parlamentare të 2025.
Të majtëve u është prezantuar një strategji komunikimi në raport me institucionet dhe me publikun përgjatë këtij viti elektoral.
Përpos politikës së jashtme, një zë të rëndësishëm në këtë “retreat” ka zënë edhe integrimi, si për negociatat për integrimin për të nisur hapjen e kapitujve të parë në vjeshtë, por edhe për vijimin e reformave të brendshme me kusht që të përfitojmë paratë nga Brukseli.
Të gjithë ministrat, pas prezantimit të tyre, janë njohur dhe me objektivat që duhet të realizojnë deri ditën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Kujtojmë se pas këtij takimi një tjetër sfidë e pret PS-në. Më datë 8 shtator do të zhvillohet Asambleja e PS-së, ku pritet që të ketë ndryshime të thella në strukturat e Partisë Socialiste, duke përfshirë edhe konfigurimin e Kryesisë së PS, Sekretariateve dhe drejtuesve politikë socialistë në qarqe. Ky proces do të përcaktojë planin e aksionit të partisë për vitet në vazhdim dhe do të japë një pamje më të qartë për strategjitë zgjedhore dhe organizimin e brendshëm të PS-së./Pamfleti
Lini një Përgjigje