Drejtësi do të ketë vetëm kur të dënohen të gjithë ata që dhanë urdhër për të qëlluar mbi turmën më 21 janar 2011, duke nisur nga kryeministri i kohës, Sali Berisha...
Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, një prej viktimave të 21 Janarit, ditën e sotme pas daljes nga SPAK tha se rihapja e çështjes është bërë vetëm falë vendimit të Gjykatës së Strasburgut.
Ai foli për mediat pasi u mor në pyetje nga SPAK dhe tha se drejtësi do të ketë vetëm kur të dënohen të gjithë ata që dhanë urdhër për të qëlluar mbi turmën më 21 janar 2011, duke nisur nga kryeministri i kohës, Sali Berisha.
Ai tha se këtë të hënë u trajtua ana teorike, ne themi se duhet të hetohet zinxhiri komandues.
“Ne themi të hetohet zinxhiri komandues, siç ka thënë Strasburgu. Pa Strasburgun, çështja do të ishte mbyllur. Ai është krim shtetëror dhe shteti duhet të dalë para drejtësisë. Ne e dimë kush e ka bërë por ne ia lëmë prokurorisë, hetuesisë. Komanda e Gardës, bashkë me kryeministrin e kohës dhe ministrin e Brendshëm.
Ka 13 vjet që ne luftojmë për të vërtetën, asgjë tjetër. Fajtorët, para gjyqit. Çështja është shumë e thjeshtë për ta hetuar. Në momentin që ekspertohet zëri, i del zëri i Ndrea Prendit dhe pyetet kush ia dha urdhrin të përdorë armën mbi turmën në kundërshtim me ligin”, shtoi ai.
I pyetur ku është marrë materiali audio që pretendohet se është i ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, teksa jep urdhër për të përdorur armët, Nika tha se është botuar nga gazetarët dhe se ata nuk e tregojnë burgimin.
“Kasetën e ka Artan Hoxha dhe është i gatshëm për ta dorëzuar. Ishte një krim shtetëror”, tha ai.
Para Mark Nikës, në SPAK dëshmoi bashkëshortja e Aleks Nikës, si person që kanë dijeni dhe për të dhënë detaje për hetimin, pas rihapjes së hetimit për “21 Janarin”.
Bashkëshortja e Nikës, Rajmonda Nika u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në orën 10:00, ku në një deklaratë për mediat, tha se “ka dhënë fakte të reja”, por që “nuk mund t’i bëjë publike ende”.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 15 korrik ka regjistruar procedimin penal për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me 3 protestuesit e vrarë në tubimin e 21 janarit 2011.
Në njoftim zyrtar thuhet se nisja e hetimeve është bërë duke vlerësuar konkluzionet e vendimit të Gjykatës së Lartë pas kallëzimit te shtetases Rajmonda Nika si dhe vendimin e Gjykatës Evropiane per te drejtat e njeriut. Hetimet për 21 janarin e vitit 2011 nisin pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës në Gjykatën e Lartë.
Lini një Përgjigje