
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë konferencës për shtyp lidhur me ndërhyrjen e policisë në Kampin e “MEK”, ka hedhur poshtë pretendimet se viktima në kampin Ashraf ndërroi jetë nga dhuna e ushtruar nga autoritete shqiptare.
Çuçi tha se iraniani nuk është prekur nga asnjë efektiv dhe shtoi se vdekja e tij ka ardhur nga kushtet natyrale. Ministri tha ndër të tjera se po pritet ekspertiza mjekoligjore për të përcaktuar shkencërisht arsyen e vdekjes së tij. Ai tha se nuk është ushtruar asnjë dhunë gjatë kontrollit dhe se policia është kujdesur që të mos krijohen incidente.
“Personi që ka vdekur ju garantoj që vdekja nuk është shkaktuar nga asnjë dhunë e ushtruar nga policia. Po presim raportin e ekspertizës mjekoligjore.
Nuk është prekur as edhe një anëtar me dorë në këtë kamp. Ka kamera edhe nga policia edhe nga ana e kampit, nuk është prekur asnjë anëtarë me dorë, asnjë!
Do presim ekspertizën mjekoligjore. Ai është një burrë i moshuar, 79 vjeç mos gaboj, kanë vdekje brenda kampit që ndodhin rëndom, sepse është një komunitet që po jeton dhe plaket aty, por do presim ekspertizën mjekoligjore. Unë jam i bindur sepse kemi pasur kujdesin për të mos krijuar asnjë incident por të zbatonim vendimin e gjykatës”, tha ai.
Lini një Përgjigje