TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Shtator 2024, 22:00

Vrasje, atentate, plagosje dhe tritol/ Pse po riaktivizohet krimi në Shqipëri?

Shkruar nga Pamfleti

Vrasje, atentate, plagosje dhe tritol/ Pse po riaktivizohet krimi në

Njerëz që qarkullojnë të armatosur, atentate të mirëorganizuara dhe grupe kriminale që lajnë hesape në mes të ditës, të japin idenë se shteti është i pafuqishëm përballë krimit i cili sa vjen dhe bëhet më i sofistikuar.

Pas dy aksioneve te SPAK ndaj grupeve kriminale të fuqishme në vend, u duk sikur morën fund atentatet dhe grupet kriminale sikur u tërhoqën në hije. Por tani atentatet duket se janë rikthyer sërish, edhe pse jo aq të sofistikuara sa dikur. Aktualisht më shumë po gjallërohet krimi ordiner i tipit "pse më sheh", ku të rinjtë të cilët po “infektohen” çdo ditë e më shumë nga bosët e krimit po ndërmarrin akte nga më ekstremet duke shkuar deri në vrasje. Shqipëria po bëhet një vend i rrezikshëm ku po bëhen atentate në mjedise të hapura duke rrezikuar dhe qytetarët.

Në harkun kohor të dy javëve janë regjistruar të paktën 6 atentate me armë dhe një kërcënim me tritol, me bilanc një të vdekur dhe tre të plagosur. Në tre nga atentatet e bëra, shënjestrat fatmirësisht kanë shpëtuar pa u dëmtuar, pasi në të kundërt bilancet do të ishin të frikshme.

Ngjarjet e një pas njëshme kanë qenë më së shumti të përqendruar në qytetin e Shkodrës dhe në kryeqytet. Atentati më i dhunshëm ishte ai i datës 30 gusht, ku 36-vjeçari Elis Rroshkodoli u ekzekutua me 14 plumba.

Ngjarje të tilla kriminale kanë alarmuar qytetarët dhe kanë rritur ndjenjën e pasigurisë në mbarë opinionin publik. Pas një periudhe disi të qetë, duket se aktivitet kriminale dhe atentate po rikthehen sërish në kryefjalë në Shqipëri. Njerëz që qarkullojnë të armatosur, atentate të mirë organizuar dhe grupe kriminale që lajnë hesape në mes të ditës, të japin idenë se shteti është i pafuqishëm përballë krimit i cili sa vjen dhe bëhet më i sofistikuar.

Përtej ndryshimeve që u bënë në kupolën e Policisë së Shtetit pak ditë më parë, duket se i gjithë institucioni ka nevojë për një reformim dhe ndryshim të thellë mentalitetit dhe qasjeje kundër krimit i cili po kthehet në gangrenën më të rrezikshme të shoqërisë.

Por cilat janë ngjarjet që tronditën Shqipërinë në dy javët e fundit?

-Më datë 23 gusht, në fshatin Rranxë të Bushatit në Shkodër, një atentat iu bë dy personave emrat e të cilëve nuk u bënë të dituar nga polica. Ty dy, ndodheshin brenda një automjeti të blinduar, Audi me targa gjermane, kur ndaj tyre u lëshua breshëri kallashnikovi. Mësohet se autorët qëlluan në ecje nga një motor dhe me një automjet BMV.

Blutë e Shkodrës njoftuan se 3 janë autorët që kanë qëlluar, por nuk dha emrat e tyre, edhe pse jo zyrtarisht flitej për 2 vëllezër me mbiemrin Prendi dhe një person i tretë. Dyshohet se ka pasur një përplasje mes grupeve kriminale në Shkodër.

Për ngjarje policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit Andrea e Aleksandër Prendi nga Bushati, ndërsa në kërkim burime thonë se është edhe kushëriri i tyre.

-Më datë 26 gusht, një atentat me breshri plumbash tronditi qytetin e Beratit. Rreth orës 16:00 të datës 26 gusht, 46-vjeçari Altin Halili po lëvizte me mjet pranë një shkolle private në rrugën e fshatit Dushnik, kur 3 persona kanë qëlluar ndaj tij me breshëri plumbash.

Autorët e zunë në pritë 46-vjeçarin dhe kanë hapur zjarr ndaj tij, por pa ia arritur qëllimit për ta vrarë. Plumbat kanë prekur vetëm makinën e 46-vjeçarit,duke bërë “shoshë” xhamin e pasmë dhe sediljen e pasme të mjetit.

Më pas autorët u larguan nga vendi i ngjarjes në drejtim të fshatit Kozare, aty ku u gjet edhe mjeti i djegur, brenda të cilit ndodhje edhe një kallashnikov. Pista kryesore e kësaj ngjarje ishte hakmarrja, pasi 46-vjeçari ishte dënuar më parë  për vrasjen e Sokol Kaloshit në fshatin Rremas të Lushnjës.

-Më datë 29 gusht, në orët e para të mëngjesit, një lëndë plasëse u vendos pranë një agjenci funerale, në lagjen “Skënderbeg” në qytetin e Shkodrës. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale. Nga hetimet rezultoi se tritoli ishte vendosur për shkak të një borxhi që autori 35-vjeçar iu kishte pronarëve të agjencisë funerale.

-Një ditë më vonë, më datë 30 gusht, Shkodra goditet sërish nga një tjetër ngjarje e rëndë. Një atentat me armë zjarri lë të vdekur 36-vjeçarin Elis Rroshkodoli.

36 vjeçari po qëndronte në verandën e një lokali në lagjen “Ahmet Haxhia” kur persona të maskuar iu afruan me makinë dhe qëlluan me breshëri plumbash drejt tij. Autorët qarkullonin me një Benz ngjyrë gri. Pasi janë ndalur para lokalit, njëri ka dalë nga makina dhe ka qëlluar me breshëri plumbash ndaj të riut. Viktima kishte 14 plumba në trup nga 18 gëzhoja që u gjetën në vendin e ngjarjes.

Pas hetimeve u arrestua 36-vjeçari Xhulio Malo, i cili siguroi kushtet dhe mjetet për të kryer vrasjen, ndërsa u shpallën në kërkim 3 bashkëpunëtorët e tij të identifikuar, të dyshuar si vrasës me pagesë. Ndërkohë që porositësit mbeten një enigmë. Viktima 36 vjeç nuk ishte emër i panjohur për blutë në Shkodër. Ai njihej si person tejet problematik brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 2023, Elis Rroshkodol plagosi me thikë një të ri rumun, periudhë në të cilën u arratis drejt Stambollit. Ndërsa në 2014-ën rezulton të jetë arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh të tjerë për grabitje në Belgjikë. Ndërkohë në 1997 i kishin vrarë të atin

-Më datë 3 shtator, një tjetër atentat i frikshëm ndodhi në kryeqytet, në zonën e “Don Boskos”, ku dy persona mbeten të plagosur. Persona të maskuar të cilët qarkullonin me një automjet tip “Golf V”, qëlluan ndaj Kastriot Elezaj 45 vjeç dhe Renaldo Metushit 22 vjeç, teksa po pinin një kafe në një lokal. Elezaj u plagos me një plumb në këmbë, ndërsa Ronaldo Metushi u qëllua me plumb në gjoks.

Atentatorët kanë ndjekur prej disa ditësh lëvizjet e shënjestrës, kjo për faktin se ata kanë pritur në makinë 30 minuta në afërsi të lokalit, të parkuar në një cep pallati.

Nga kamerat e sigurisë, autorët kanë lëvizur me automjet për t’u siguruar se janë ulur aty dhe kanë saktësuar tavolinën. Më pas janë rikthyer para lokalit, kanë kthyer makinën sepse rruga te pallati është rrugë qorre, kanë qëlluar me armë me selenciator dhe janë larguar menjëherë nga kanë ardhur, pak pas sulmit rreth orës 14:30.

Policia gjeti më vonë makinën e autorëve të djegur në periferi për të zhdukur gjurmët dhe provat.

Objektiv i atentatit dyshohet se ishte 45-vjeçari Elezi, i cili nuk është emër i panjohur për autoritetet e drejtësisë, kryesisht jashtë Shqipërisë. Përveç precedentit të korrupsionit, ai ka edhe një për grabitje dhe arratisje 13 vite më parë.

-Më datë 7 shtator një tjetër atentat me armë ndodhi në qytetin e Shkodrës. Rreth orës 12:30, automjeti me të cilin po udhëtonte boksieri i Vllaznisë, Arjon Kajoshit u qëllua me armë zjarri në lagjen Partizani. Fatmirësisht nga të shtënat me armë nuk ka pati të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Pas hetimeve doli se Alban Bruçi qëlloi me armë zjarri automjetit ku udhëtonte boksieri si shenjë hakmarrje. Kjo pasi dyshohet se babai i autorit të dyshuar është dhunuar me grushte në 3 qershor dhe autor i dyshuar është vëllai i boksierit, Arlind Kajoshi.

-Rasti i fundit ishte ditën e sotme, më datë 8 shtator, në kryqëzimin e Golemit në Shkodër si pasojë e një sulmi me armë mbeti i plagosur një 29-vjeçar!

Autori Mario Kroni dhe 29-vjeçari Ronaldo Kola po udhëtonin në dy automjete të ndryshme tip Audi, dhe janë takuar fillimisht në rrugën kryesore të fshatit Golem, ku kanë nisur të debatojnë. Më pas Kroni ka nxjerrë një arme zjarri duke qëlluar 4 herë në drejtim të 29 vjeçarit i cili ka mbetur i plagosur. Autori, me pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe policia po punon për kapjen e tij.

Shkak për konfliktin dyshohet të jenë pazaret e drogës. Kroni, dyshohet se kishte konflikte me vëllain e 29-vjeçarit Ronaldo Kola, pas prishjes së pazareve të kanabisit./Pamfleti 

krimi shqipëri atentate

Lini një Përgjigje