
Bajerni i Mynihut ka zyrtarizuar pasditen e sotme shkarkimin e Julian Nagelsman nga drejtimi i kampionëve të Gjermanisë. Në njoftimin e klubit shkruhej se vendimi ishte marrë nga Shefi Ekzekutiv, Oliver Kahn dhe anëtari i bordit, Hasan Salihamixhiç, në konsultim me presidentin e bavarezëve, Herbert Hainer.
“Kur nënshkruam me Julian Nagelsman në verën e vitit 2021, ishim të bindur se do të punonim me të në një bazë afatgjatë – dhe ky ishte qëllimi i të gjithë ne deri në fund. Julian ndan aspiratën tonë për të luajtur futboll të suksesshëm dhe tërheqës. Por tani kemi arritur në përfundimin se cilësia në skuadrën tonë, pavarësisht titullit të Bundesligës vitin e kaluar, ka dalë gjithnjë e më rrallë në plan të parë. Pas Kupës së Botës kemi luajtur më pak me sukses dhe në mënyrë më pak tërheqëse.
Luhatjet e mëdha të performancës kanë vënë në dyshim synimet tona për këtë sezon, por edhe synimet tona për të ardhmen. Kjo është arsyeja pse ne kemi vepruar tani. Personalisht dhe në emër të FC Bajern, do të doja të falënderoja Julian dhe ekipin e tij të trajnerëve dhe t’u uroj të gjithëve fat të mirë për të ardhmen”, ishin fjalët e Kahn për shkarkimin.
Klubi bëri të ditur se emëronte Tomas Tuhel në drejtim, me teknikun e ri, i cili kishte nënshkruar deri në 30 qershor të vitit 2025.
Sipas raportimeve nga “Bild”, i cili së bashku me "Kicker" dhanë lajmin për shkarkimin e Nagelsman dhe nënshkrimin e Tuhel, ish-trajneri i Çelsit, PSG-së dhe Borusias së Dortmundit do të ishte gati të përgjysmonte pagën që në kohën e Bluve arrinte në një shifër mes 15 dhe 16 milionë euro dhe që në Bavari nuk mund të kalonin 9 milionë euro.
Prandaj gjithçka është gati për rikthimin e Tuhel në Gjermani, ku trajneri fitoi një Kupë të Gjermanisë në sezonin 2016-2017 me verdhezinjtë, i cili tashmë është gati të sfidojë për “Meisterschale”, pa harruar mundësinë për të shënuar një dopietë në Champions League si një zëvendësues në stol. Pengesa tjetër për t’u kapërcyer quhet Mançester Siti me trajner Guardiolën që e njeh mjaft mirë Bajernin e Mynihut.
Ndërkohë, në Gjermani flitet se Tuhel në muajt e mbetur të sezonit ka vendosur edhe një klauzolë e cila përfshin një superbonus në rast se fiton Champions League dhe Bundesliga. Në fakt, flitet për rreth 3-4 mln euro më shumë që do të shkonin në llogarinë e tij bankare…
Sfida e rradhës për bavarezët eshtë ajo e “Der Klassiker” përballë Borusias së Dormtundit, ekipi nga i cili u bë i famshëm edhe vetë Tuhel. Për ish-kampionin e Champions League, ishte interesuar edhe Reali i Madridit për të zëvëndësuar Karlo Ançelotin që pritet të largohet në fund të sezonit.
Lini një Përgjigje