TAGS-AT E JAVËS

Sport28 Prill 2026, 15:22

Zgjerohen hetimet ndaj arbitrave në Itali, Xhanluka Roki fliste me 29 skuadra të Serisë A dhe Serisë B

Shkruar nga Pamfleti

Zgjerohen hetimet ndaj arbitrave në Itali, Xhanluka Roki fliste me 29

Stuhia që ka përfshirë Shoqatën Italiane të Arbitrave vijon pa shenja qetësimi, ndërsa hetimet po marrin përmasa më të gjera. Xhanluka Roki, një nga figurat kryesore të sektorit të arbitrimit, është vetëpezulluar për t’u mbrojtur nga akuzat për përfshirje në mashtrim sportiv, në një moment kur detaje të reja po dalin në dritë nga Prokuroria e Milanos.

Sipas të përditshmes italiane “La Repubblica”, hetimet nuk kufizohen më vetëm në episode të caktuara gjatë ndeshjeve, por po shtrihen në një rrjet më të gjerë marrëdhëniesh. Në fokus janë kontaktet e shpeshta dhe të drejtpërdrejta që Roki dyshohet se ka pasur me drejtues të shumë klubeve të Serisë A dhe Serisë B. Raportohet se bëhet fjalë për ndërveprime të vazhdueshme me përfaqësues të rreth 29 klubeve.

Në aspektin formal, roli i dizenjatorit të arbitrave përfshin komunikim institucional me klubet. Megjithatë, hetuesit synojnë të përcaktojnë nëse këto marrëdhënie kanë tejkaluar kufijtë e protokollit, duke ndikuar potencialisht në caktimin e arbitrave apo në vendimmarrjet e sistemit VAR.

Një tjetër element që po analizohet është një metodë komunikimi e përshkruar si e kodifikuar, e quajtur në mënyrë ironike “Gioca Jouer”. Sipas raportimeve, kjo formë komunikimi mund të jetë përdorur për të orientuar vendimet e arbitrave në sallën VAR në Lissone, përmes sinjaleve dhe mesazheve të tërthorta.

Aktualisht, është e rëndësishme të theksohet se nuk ka drejtues klubesh nën hetim. Fokusi i procedimit mbetet te klasa arbitrare. Megjithatë, përgjimet dhe analizat e komunikimeve telefonike të muajve të parë të vitit 2025 po shtyjnë prokurorët të thellojnë hetimet mbi natyrën e këtyre kontakteve.

Dyshimi kryesor lidhet me ekzistencën e preferencave për arbitra të caktuar, një element që, nëse provohet, do të vinte në pikëpyetje integritetin e gjithë sistemit të arbitrimit në Itali. Ndërkohë që drejtësia penale vijon punën, me Rokin që pritet të merret në pyetje më 30 prill, edhe Prokuroria e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) ka nisur lëvizjet.

Prokurori sportiv Giuseppe Chinè ka kërkuar dokumentacionin nga Milano. Nëse do të evidentohen kontakte të paautorizuara apo presione në favor të skuadrave të caktuara, mund të hapet rruga për një proces të ri sportiv, me pasoja që mund të variojnë nga gjoba deri në heqje pikësh për klubet përkatëse.

xhanluka roki skandali i arbitrave në itali

Lini një Përgjigje