
Janë mbyllur 5 ndeshjet e Kategorisë Superiore të vlefshme për javën e 34 të Abissnet Superiore. Laçi fitoi me shifrat minimale 1-0 përballë Tiranës brenda në Kurbin.
Takim që nuk pati shumë raste nga ana e secilës skuadër, por që mund të themi që vendasit ishin më kërkues dhe këtë gjë e tregoi shumë mirë edhe goli i realizuar nga Peposhi në minutën e 62 të sfidës.
Bardhezinjtë patën një mundësi shumë të mirë me Sobouejll për të dyfishuar rezultatin, por që u ndal nga traversa. Një Tiranë tepër e dobët që nuk pati një rast konkret shënimi dhe tashmë ja vështirson pozitat vetes.
Me këtë fitore, Laçi mbetet në vendin e tetë me 42 pikë të grumbulluara, ndërsa Tirana në të gjashtin me 46 pikë dhe tani bardheblutë më shumë duhet të shqetësohen që të mos bien nga kategoria se sa të kapin “Final 4”.
Ndërkohë në Shkodër, Vllaznia ka fituar në frymën e fundit kundër Dinamos. Teksa dukej që sfida do të mbyllej në barazimin 0-0, Kevin Dodaj bëri heroin duke shënuar 30 sekonda para fundit të ndeshjes.
Ky triumf i vlen shumë Vllaznisë që mbetet në vendin e dytë, ndërsa tek Dinamo ka dëshpërim. Blutë mbeten në vendin e katërt me 48 pikë.
Në kryeqytet një gol i Alfred Mensah në minutën e 84, i mjaftoi Partizanit të Orges Shehit për të mposhtur Skënderbeun me shifrat 1-0, duke siguruar zyrtarisht pjesmarrjen në “Final 4”.
Falë këtij triumfi, “Demat e Kuq”, ngjiten në kuotën e 57 pikëve, teksa tashmë në dy duelet e mbetura do të synojnë dy vendet e para.
Një gol i shënuar që në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Egnatias, i ka mjaftuar Teutës për të siguruar tre pikë shumë të rëndësishme në luftën për të qëndruar jashtë zonës së play-out.
Jazxhi realizoi që në minutat e para të takimit golin që vulosi duelin ndaj rrogozhinasve, të cilët humbën lojtarë radhazi për probleme fizike në këtë sfidë. Fitorja minimale ndihmon Teutën që të jetë në vendin e 7, ndërsa çuditërisht i mban ata ende në garë edhe për të siguruar një vend në “Final Four”, ndonëse do u duhet një kombinim i pazakontë rezultatesh për t’ia arritur.
Kukësi i ka shkëputur sot Erzenit një barazim 3-3 dhe ka mbyllur kështu edhe matematikisht shanset e skuadrës shijakase për të qëndruar në Superiore.
Dy skuadrat e fundit të tabelës së klasifikimit kanë dhuruar një ndeshje shumë të luftuar mes tyre në Ballsh, ku për pjesën më të madhe të lojës u duk sikur shijakasit ishin në kontroll.
Por minutat e fundit të sfidës ku verilindorët e drejtuar nga Devolli shënuan 3 herë në 9 minuta, rezultuan vendimtarë për të vulosur një barazim 3-3 që i vlen vetëm për moralin, pasi nuk ndryshon fatin e dy skuadrave të rëna tashmë në Kategorinë e Parë.


Lini një Përgjigje