TAGS-AT E JAVËS

Sport17 Maj 2025, 16:11

Vllaznia dështoi edhe këtë sezon të shpallej kampione, në Shkodër dalin në skenë 2 ish-ët e kombëtares për të rikthyer titullin

Shkruar nga Pamfleti

Vllaznia dështoi edhe këtë sezon të shpallej kampione,

Vllaznia dështoi edhe këtë sezon të fitonte titullin. Tashmë shkodranëve do t’iu duhet të presin edhe një vit tjetër për këtë trofe, ndërsa padiskutim objektivi i sezonit të ri do të jetë të shpallen kampionë, ku ky trofe iu mungon prej 24 vitesh.

Por për të bërë realitet diçka të tillë, në Shkodër janë të vetëdijshëm se duhen afrime cilësore dhe lojtarë me eksperiencë që mund të bëjnë diferencën. Kështu tashmë po fliten edhe emrat e parë që mund të vihen nën urdhrat e Edi Martinit.

Odise Roshi dhe Endri Çekiçi janë emrat e parë që kanë nisur të lakohen për transferimin te kuqeblutë. Të dy futbollistëve u përfundon kontrata në fund të këtij sezoni dhe në këto kushte drejtuesit e kuqebluve “ëndërrojnë” transferimin e tyre.

Roshi dështoi me Erzurumspor për të siguruar ngjitjen në Superligën turke dhe në këto kushte e ardhmja e tij duket larg turqve. Fakti që “raketa” kuqezi ka miqësi të fortë me Bekim Balajn mund ta bindë atë për të kaluar në Shkodër.

Njëjtë edhe me Çekiçin, i cili ka kontratë të vlefshme me Adanaspor deri në fund të qershorit, ku më pas del lojtar i lirë. Pogradecari preferon një tjetër aventurë jashtë, por Vllaznia mbetet “prapa dere” për të përfituar nga shërbimet e tij. Gjithsesi për momentin nuk mund të flitet për gjëra konkrete dhe mbetet në ditët në vazhdim për të mësuar më shumë mbi këtë pistë dhe cilat do të jenë lëvizjet e shkodranëve për të siguruar shërbimet e dy ish-ëve të Kombëtares.

endri çekiçi odise roshi vllaznia

Lini një Përgjigje