
Kristian Shpendi po shijon një sezon fantastik me Çezenën ku ka shënuar plot 13 gola vetëm në gjysmën e parë të sezonit duke kaluar edhe vëllain e tij, Stivenin. Forma e mirë nuk ka si të mos vihet re dhe në “TuttoMercatoWeb” i ka kushtuar një artikull sulmuesit shqiptar.
“Viti i shenjtërimit” e quan TMW sezonin e Kristianit si dhe shkruan se Çezena ka të drejtë të ëndërrojë me shqiptarin që po i udhëheq drejt Serisë B.
Artikulli i medias italiane:
Sezonin e kaluar Çezena shijoi serinë e golave të Stiven Shpendit, i cili shënoi 12 gola, me 3 asistime, në 33 ndeshje me fanelën e Bianconerëve në kampionat. Numra që tërhoqën vëmendjen e shumë klubeve të kategorive më të larta tek italo-shqiptari i lindur në vitin 2003 me Empolin që doli në krye. Pasi ka fluturuar në Serinë A për Shpendin, ku deri më tani ka bërë 11 paraqitje pa e gjetur ende rrjetën, te Çezena vendosën të fokusohen te binjaku i tij Kristian Shpendi dhe u shpërblyen për këtë.
Pas një viti të parë me vetëm një gol dhe një asist në 19 ndeshje, po vjen viti i shenjtërimit të sulmuesit, aq sa ai tashmë ka kaluar shifrat e vëllait të tij. Në fakt, numri 9 i Çezenës ka shënuar tashmë 13 gola, me 3 asiste, në 18 ndeshje kampionati plus një tjetër në 2 ndeshjet e Kupës së Italisë të luajtura nga bardhezinjtë. Gola që e lejojnë Çezenën të kryesojë Grupin B të Serisë C me 3 pikë ndaj surprizës Torres dhe 14 ndaj Peruxhias që aktualisht është forca e tretë në kampionat.
Nga njëri Shpendi te tjetri rezultati në shtëpinë e Çezenës nuk ndryshon, madje është përmirësuar dhe sipas të gjitha gjasave verën e ardhshme drejtuesit do ta gjejnë veten duke u përballur me kërkesa të reja edhe për Kristianin. Por ndoshta me një Seri B për të luajtur, siç shpresojnë tifozët e Kavaluçio, do të jetë më e lehtë t’i rezistojnë sirenave dhe të shijojnë Shpendin edhe për një vit.
Lini një Përgjigje