
Interi thyen minimalisht Juventusin në “San Siro” me shifrat 1-0. Një sukses shumë i rëndësishëm, me shumë peshë, që mund të vendosë në fund edhe titullin kampion. Zikaltërit e nisën “zjarr” ndeshjen, madje duke ushtruar presion konstant në portën e mbrojtur nga Shezni.
Ishte Mkhitarian që tentoi të zgjidhë sfidën me një goditje nga distanca, por muri bardhezi i tha jo. Më pas, të besuarit e Inzagit rritën presionin, një top perefekt i Dimarkos, nuk u shfrytëzua si duhet nga francezi, i cili bëri më të vështirën. Edhe nga fare pranë, Turam nuk shtyu dot topin në rrjetë.
“Zonja e Vjetër” u shfaq pas gjysmë ore lojë në portën e vendasve. Zbritja e Juventusit mund të përfundonte me gol, nëse Vlahoviç do tregohej i saktë.
Djemtë e Masimiliano Alegrit e panë veten në disavantazh në minutën e 37, kur një devijim i Gatit i dhuroi epërsinë skuadrës nga Milano.
Në fillimin e pjesës së dytë, një e majtë tokazi e Dimarkos shkaktoi drithërima te torinezët, por vetëm kaq, pasi topi doli jashtë. Në minutën e 58, Çalhanoglu “flirtoi” me golin e sigurisë, por vetëm shtylla ndali mesfushorin turk.
Interi festoi në fund. Përveç fitores që kënaq tifozët, aktualisht kryeson kampionatin me 57 pikë, 4 pikë më shumë Juvja, për më tepër edhe një ndeshje më shumë në dispozicion.
Lini një Përgjigje