
Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, po kalon një nga sezonet më të mira në karrierën e tij me fanelën e Majorkës në La Liga. Futbollisti kosovar ishte sërish vendimtar për skuadrën e tij, duke shënuar golin e epërsisë në përballjen e së shtunës në transfertë ndaj Osasunës.
Goli erdhi në minutën e 35-të të takimit, pas një gabimi në largimin e topit nga portieri vendas, Serxhio Herrera. Topi u përplas në trupin e Muriqit dhe përfundoi në rrjetë, duke i dhënë avantazhin skuadrës së Majorkës.
Ky ishte goli i 17-të për Muriqin në këtë sezon të La Ligës, duke e renditur atë në vendin e dytë në listën e golashënuesve të kampionatit spanjoll. Para tij ndodhet vetëm sulmuesi i Realit të Madridit, Kilian Mbape, i cili kryeson me 23 gola.
Në vendin e tretë renditet talenti i Barcelonës dhe i kombëtares së Spanjës, Lamin Jamal, me 13 gola të shënuar.
Forma e mirë e Muriqit po konsiderohet një element kyç për Majorkën, që shpreson të përmirësojë ecurinë në kampionat falë kontributit të sulmuesit kosovar, i njohur edhe me nofkën “Pirati”.
Lini një Përgjigje