TAGS-AT E JAVËS

Sport30 Nëntor 2024, 16:38

Vajzat kuqezi “zjarr” në kualifikueset e Europianit, kombëtarja U-19 edhe ndaj Moldavisë në “Arena Kombëtare”

Shkruar nga Pamfleti

Vajzat kuqezi “zjarr” në kualifikueset e Europianit,

Kombëtarja U-19 e vajzave korri suksesin e dytë brenda pak ditësh në ndeshjet e raundit të parë të kualifikueseve të Europianit 2025 për këtë grupmoshe, duke mposhtur me rezultatin 3-0 Moldavinë në stadiumin ‘Arena Kombëtare’. Goli i Stela Vatës, një autogol i Moldavisë dhe një gol i kapitenes Xhesika Ndoj vendosën sfidën, që u dominua thuajse në të 90 minutat nga Shqipëria.

Ndeshja nisi mjaft mirë për Shqipërinë e Luçije Gjinit, duke kaluar në avantazh që në minutën e 6.Pas një aksioni të bukur nga Klesta Ago, topi i goditur u ndal në shtyllë dhe më pas përfitoi Stela Vata për ta dërguar në rrjetë. 1-0 për Shqipërinë dhe festë kuqezi në pankinë e tribuna.

Skuadra mbajti mirë ritmin e lojës dhe nuk humbi për asnjë minutë freskinë e dëshirën për të shënuar gola të tjerë. Moldavia shënoi autogol, duke i dhuruar një gol të dytë vajzave kuqezi, teksa rezultati i ndeshjes shënoi 2-0 për Kombëtaren. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat.

Fraksioni i dytë nisi në mënyrë të shkëlqyer për Shqipërinë. Xhesika Ndoj shënoi golin e tretë për skuadrën. Një gol fantastik nga distanca, që erdhi pas disa pasimeve dhe më pas ishte kapitenia Ndoj ajo e cila tentoi nga larg dhe mposhti portieren moldave. 3-0 për Kombëtaren shqiptare.

Takimi u mbyll me këtë rezultat, me vajzat kuqezi që marrin kështu tre pikët e radhës dhe kanë grumbulluar në total 6 pikë, po aq sa Bjellorusia e vendit të parë. Shqipëria do të luajë ndeshjen e tretë dhe të fundit ndaj Bjellorusisë të martën e 3 dhjetorit në ora 13:30. Kjo sfidë do të vendosë edhe se cila Kombëtare do të kalojë në Ligën A në raundin e dytë.

Kombëtarja U-19 ka nevojë për tifozët në këtë sfidë dhe për këtë arsye FSHF fton të gjithë shqiptarët të bashkohen së bashku në shkallët e stadiumit ‘Arena Kombëtare’ për të përkrahur skuadrën.

Në takimin tjetër të grupit, që u luajt në ‘Shtëpinë e Futbollit’, Bjellorusia mposhti Malin e Zi me rezultatin 4-0.

shqipëria u-19 moldavia u-19 kombëtarja e femrave kualifikueset e "euro 2025"

Lini një Përgjigje