
UEFA ka vendosur të mos falë Realin e Madridit dhe lojtarët e klubit spanjoll për sjelljen e tyre në derbin e Madridit në Ligën e Kampioneve. Festimet e tepruara të lojtarëve të Realit pas fitores ndaj Atletikos sollën gjoba e dënime të tjera për disa nga emrat më të njohur të kësaj skuadre.
Antonio Rydiger, Kilian Mbape dhe Dani Sebajos u ndëshkuan përkatësisht me 40 mijë, 30 mijë dhe 20 mijë euro gjobë. Mbrojtësi gjerman kishte vënë dorën në qafë duke bërë shenjën e prerjes me thikë, ndërsa Mbape dhe Sebajos kishin bërë gjeste të tjera provokuese ndaj tifozëve kundërshtarë. Rydiger dhe Mbape gjithashtu u dënuan me një ndeshje pezullim me “kusht”, e cila hyn në fuqi vetëm nëse përsëriten sjellje antisportive brenda një viti nga data e vendimit.
Dënime të cilat nuk i pëlqyen Realit, i cili i apeloi dhe kërkoi që lojtarët të shpalleshin të pafajshëm pasi kishin qenë thjesht festime të lojtarëve. Por sot Komisioni i Apelit në UEFA ka konfirmuar vendimet fillestare, duke rrëzuar apelimin e madrilenëve.
Ndërkohë, klubi është dënuar me një gjobë prej 15 mijë eurosh për sjelljen raciste të tifozëve të tij në ndeshjen ndaj Arsenalit në Londër dhe është dënuar po me kusht që të mos shesë bileta për tifozët e vet në ndeshjen e radhës si udhëtues në kompeticionet e UEFA-s. Vendim i cili hyn në fuqi nëse brenda një viti përsëriten ngjarje të tilla nga mbështetësit e “Los Blancos”.
Lini një Përgjigje