
E ardhmja e Ylber Ramadanit është ende në diskutim te Leçe. Mesfushori shqiptar u kthye të ishte përsëri protagonist i klubit të Serisë A në fundin e sezonit dhe vendimtar gjithashtu në sigurimin e mbijetesës për të dytin edicion radhazi në elitë.
Por duke hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij me Leçen, kanë nisur diskutimet për të ardhmen, si për shitjen e futbollistit, ashtu edhe për një zgjatje të mundshme të marrëveshjes mes palëve. Klubi i Al Ain në Emiratet e Bashkuara Arabe ka shfaqur interes për lojtarin dhe është gati të blejë kartonin e tij.
Megjithatë, mediat pranë klubit bëjnë të ditur se Leçe për momentin ka lënë gjithçka në pritje rreth të ardhmes së disa futbollistëve, përfshirë edhe Ramadanin. Fillimisht klubi do të shohë me prioritet disa afrime që ka kërkuar trajneri Euzebio Di Françesko, e më pas do të vlerësojë për shitjet e mundshme të futbollistëve. Kësisoj, mesfushorit të Kombëtares shqiptare i duhet të presë edhe disa ditë për të mësuar nëse është në listën e atyre që vlerësohen si “në shitje” e të shqyrtojë ofertën nga Lindja e Mesme, apo nëse do të jetë pjesë e rregullt e grupit nën urdhrat e trajnerit të ri dhe të nisë diskutimet e mundshme për rinovimin e kontratës.
Lini një Përgjigje