
Peshëngritësi shqiptar Briken Calja ka konfirmuar rikthimin në nivelet më të larta të sportit ndërkombëtar, pavarësisht se një vit më parë kishte paralajmëruar tërheqjen nga garat. Në një intervistë për “Top Channel”, ai theksoi se forma e mirë fizike dhe pasioni për sportin e kanë shtyrë të vijojë garimin dhe të synojë objektiva të rinj.
Në Kampionatin Europian të zhvilluar në Batumi, Gjeorgji, Calja arriti rezultate të rëndësishme, duke u shpallur kampion Europe në një stil dhe nënkampion në dygarësh. Ky sukses konsiderohet si një rikthim i fortë në arenën ndërkombëtare dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në ndryshimin e planeve të tij për të ardhmen.
“Normalisht që vitet janë vetëm numra, medaljet janë më të rëndësishme. Ky ishte një premtim që ia kisha bërë vetes”, u shpreh Calja.
Gara në Batumi u shoqërua edhe me polemika për ekipin shqiptar. Një vendim i jurisë ndaj Erkand Qerimajt, ku një provë e tij nuk u njoh, u konsiderua i diskutueshëm dhe e la sportistin pa rezultat.
Calja reagoi publikisht në mbrojtje të kolegut të tij:
“Është një humbje medalje për Shqipërinë, më vjen keq se është sportist, ka një karrierë të gjatë. Ai është një sportist i mirëfilltë, një nga më të mirët që ka Shqipëria. Për mua ishte një nxitim i gjyqtarisë, realisht është për të ardhur keq. Ai ka bërë shumë sakrificë”.
Objektivat e ardhshëm
Pas përfundimit të Europianit, kalendari i Caljes mbetet i ngjeshur. Ai është në përgatitje për Lojërat Mesdhetare të muajit gusht, ndërsa fokusi kryesor është Kampionati Botëror i këtij viti, i cili shërben si një etapë kyçe për grumbullimin e pikëve kualifikuese.
Synimi afatgjatë i sportistit është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike të vitit 2028.
“Kanë ndryshuar planet për shkak se ka filluar kualifikimi olimpik, ka shumë gjëra që i kam lënë pas dhe do të doja me patjetër t’i kisha në CV e karrierën time të gjatë”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje