
Trajneri i Borusias së Dortmundit, Niko Kovaç, ka vënë theksin te nevoja për një ekuilibër mes mbrojtjes dhe sulmit, duke përdorur si referencë ndeshjen spektakolare mes PSG-së dhe Bajernit. Para sfidës së radhës në kampionat, ai nënvizoi se suksesi nuk varet vetëm nga numri i golave të shënuar, por edhe nga stabiliteti në prapavijë.
Kovaç pranoi se ndeshja mes dy gjigantëve europianë i kishte tërhequr vëmendjen, por e pa atë nga dy këndvështrime të ndryshme:
“Së pari, nga këndvështrimi i një spektatori neutral, ishte sensacionale, më pëlqeu, sidomos në aspektin ofensiv. Por kur e shikon si trajner, nuk e di si do të më rrihte zemra.”
Ai shtoi se rezultate me shumë gola të pësuar nuk janë të dëshirueshme:
“Nuk mund t’i fitosh të gjitha ndeshjet 5-4.”
Sipas trajnerit, edhe pse sulmi mbetet një element kyç, ekipi duhet të ruajë një strukturë solide në mbrojtje:
“Mund t’i kuptoj ata që thonë: Sulmi është i rëndësishëm. Dhe këtë duam edhe ne. Duam të shënojmë shumë gola.”
Megjithatë, objektivi është i dyfishtë: Të shënohen sa më shumë gola dhe të pësohen sa më pak
Kovaç argumenton se diferenca në renditje shpesh vjen nga mbrojtja:
“Nëse e shikon, vëren se ekipet kryesore, me përjashtim të Bajernit, kanë shënuar të gjitha rreth 60 deri në 65 gola. Diferenca mes nesh dhe ekipeve pas nesh është numri i golave që kemi pësuar.”
Trajneri theksoi rëndësinë e presionit të lartë dhe punës pa top, duke marrë si shembull ndeshjen ndaj Frajburgut:
“Na duhen situata presioni, sidomos në stadiumin tonë. Këtë e treguam kundër Frajburgut.”
Ai vlerësoi angazhimin e lojtarëve në këtë aspekt:
“Duhet të vazhdojmë të punojmë shumë pa top, atëherë do të kemi shumë më tepër mundësi përpara.”
Kovaç e cilësoi paraqitjen ndaj Frajburgut si një nga më të mirat e sezonit:
“Ishte shumë dominuese, shumë intensive, shumë agresive. Ne mbrojtëm lart në fushë, e mbajtëm kundërshtarin larg portës sonë dhe krijuam disa situata shumë të mira.”
Lini një Përgjigje