
Mançester Siti udhëtoi drejt stadiumit “Santiago Bernabéu” si një nga favoritët, por Reali i Madridit i kujtoi edhe një herë skuadrës angleze se është klubi më i suksesshëm në historinë e Ligës së Kampionëve, me 15 trofe evropianë.
Media britanike reagoi ashpër pas humbjes së Sitit. Gazeta “The Sun” e përshkroi ndeshjen si një goditje të fortë për ekipin e Pep Guardiolës, duke theksuar tregolëshin e Federiko Valverdes që e vendosi skuadrën angleze në prag të eliminimit.
Edhe “The Telegraph” kritikoi qasjen taktike të trajnerit spanjoll. Në raportimin nga “Bernabéu”, gazeta shkruan se “Pep Guardiola bëri gabime të rënda taktike dhe Mançester Siti u shkatërrua nga Reali i Madridit”.
Sipas mediave britanike, një nga faktorët kryesorë që ndikoi në rezultat ishte eksperimenti taktik i Guardiolës. Ai vendosi të aktivizojë Kusanov dhe Savinjon, ndërsa Nico O’Rilli u vendos në rolin e mbrojtësit të majtë. Ky rrezik taktik, sipas analizave, mund t’i kushtojë Sitit një eliminim të hershëm nga garat evropiane — një skenar që dukej i pamundur kur shorti i përballi me një Real Madrid që konsiderohej në vështirësi.
Edhe “The Times” shkruan se “Siti i brishtë u trondit nga tregolëshi i Valverdes”, duke shtuar se ndryshimet taktike të Guardiolës iu kthyen kundër dhe se trajneri është “me fat që diferenca është vetëm tre gola”.
Kritika të forta ka edhe nga portali sportiv “GOAL”, i cili thekson se “gabimi taktik i Pep Guardiolës u kthye sërish kundër tij”, ndërsa Niko O’Rilli u largua nga fusha i zhgënjyer.
Ndërkohë, edhe media lokale “Manchester Evening News” pranoi se plani i guximshëm i Guardiolës dështoi përballë Realit të Madridit. Në analizën pas ndeshjes theksohet se jo vetëm “Plani A” i Sitit nuk funksionoi, por edhe ndryshimet e mëvonshme gjatë ndeshjes nuk sollën asnjë efekt.
Sipas gazetës, ndryshimi i sistemit që në pjesën e parë nuk ndikoi në rrjedhën e lojës, ndërsa e gjithë qasja taktike e ekipit u cilësua si “e tmerrshme”.
Lini një Përgjigje