
Federata Suedeze e Futbollit ka vendosur të mos presë përfundimin e ndeshjeve të “play-off”-it për Botërorin 2026 dhe ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin britanik Graham Potter. Tekniku, i emëruar në muajin tetor pas shkarkimit të Jon Dahl Tomasson, ka rinovuar zyrtarisht kontratën me përfaqësuesen suedeze deri në verën e vitit 2030.
Fillimi i Potter në pankinën e Suedisë nuk ka qenë ndër më të mirët. Në dy ndeshjet e para nën drejtimin e tij, kombëtarja skandinave u mposht 4-1 nga Zvicra dhe barazoi 1-1 përballë Sllovenisë. Megjithatë, drejtuesit e federatës suedeze kanë shprehur besim te projekti i trajnerit britanik dhe te mundësia që ai të rikthejë ekipin në rezultate pozitive.
Ndërkohë, Suedia mbetet një kundërshtar potencial për Shqipërinë në rrugën drejt kualifikimit në Botërorin 2026. Skuadra skandinave është pjesë e një minigrupi në fazën “play-off”, ku do të përballet me Ukrainën në gjysmëfinale. Në anën tjetër të skemës, Shqipëria do të përballet me Poloninë, në një duel që mund të përcaktojë përballjet e mundshme në fazën vendimtare për kualifikim.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje