TAGS-AT E JAVËS

Sport14 Nëntor 2024, 22:54

Tonali “thyen” Belgjikën dhe i siguron vendin e parë Italisë, zhgënjen Franca; Anglia triumfon në transfertën greke

Shkruar nga Pamfleti

Tonali “thyen” Belgjikën dhe i siguron vendin e parë

Sot në mbrëmje u luajtën ndeshjet e vlefshme për Ligën e Kombeve.

“Gjigantët” e futbollit evropian, Italia e Franca janë dy Kombëtaret që kanë arritur të kalojnë të parat në fazën tjetër të Ligës së Kombeve.

Kështu, “Të Kaltërit” e teknikut Luçiano Spaleti ka arritur të sigurojë fitoren minimale 1-0, në transfertën belge ndaj “Djajve të Kuq”.

“Axurrëve” i mjaftuan më pak se 11 minuta lojë për të kaluar në avantazh. Një gabim i skuadrës belge në qarkullimin e topin u dha mundësinë futbollistëve të Italisë të organizonin një kundërsulm të shpejtë të konkluduar me gol nga Tonali.

Në krahun tjetër, “Gjelat” e Francës nuk arritën më shumë se barazimi i “bardhë”, pa gola, ndaj përfaqësueses së Izraelit, me nënkampionët e botës, që duket se kanë ndjerë jo pak mungesën e “yllit” të tyre, Kilian Mbape.

Falë këtyre rezultateve, Italia ngjitet në kuotën e 13 pikëve të Grupit A2, ndërsa pas tyre vjen Franca me 10 pikë. Belgjika mbetet në vendin e tretë me 4 pikë, ndërsa Izraeli siguron pikën e parë.

Në Ligën B spikat hakmarrja e Anglisë 0-3 në fushën e Greqisë. golat u realizuan nga Uotkins dhe Xhons, ndërsa vlen të theksohet edhe një autogol i Vlakodimos.

Përfaqësuesja e “Tre Luanëve”  merr kreun me 12 pikë, me golavarazh më të mirë në ndeshjet e drejtpërdrejta me helenët.

Fitore e madhe edhe për Norvegjinë e Erling Haland në fushën e Sllovenisë. Nordikët shënuan menjëherë me Nusa, më pas ishte Haland ai që dyfishoi shifrat dhe në pjesën e dytë erdhën edhe golat e Nusa sërish dhe Jens Peter Haug.

Për vendasit golin e vetëm e shënoi bomberi Sesko me penallti. Austria dhe Norvegjia do të përcaktojnë tashmë vendin e parë në Grupin 3 të Ligës B.

italia franca belgjika anglia liga e kombeve

Lini një Përgjigje