
Debutimi i Etnik Brrutit me Shqipërinë është shtyrë të paktën për ndeshjen e radhës. Kjo pasi trajneri Silvinjo ka vendosur të dërgojë ish-kapitenin e Kosovës në tribunë, duke mos e preferuar as në stol për sfidën me Anglinë.
Së bashku me Brrutin në tribunë janë dërguar edhe dy futbollistë të tjerë. Bëhet fjalë për Andi Hadrojn dhe Simon Simonin. Si ish-mbrojtësi i Partizanit, ashtu si edhe ish-portieri i Dinamos, janë jashtë planeve të brazilianit për këtë përballje.
Kur na ndajnë edhe pak orë nga starti i kësaj përballjeje, trajneri i Anglisë, Tomas Tuhel ka vendosur për futbollistët që do të dërgojë në tribunë. Ashtu si Silvinjo, edhe Tuhel ka vendosur të çojë 3 futbollistë në tribunë.
Bëhet fjalë për Morgan Gibs-Uajt, Zharel Kuansah dhe Aron Ramsdejl. Të 3 nuk janë në planet e Tuhel për sfidën me kuqezinjtë dhe këtë përballje do ta shijojnë nga tribuna.
Kujtojmë se dueli me Anglinë do të luhet në mbrëmje në orën 20:45 në “Wembley”. Kjo është sfida e parë e kualifikueseve dhe kuqezinjtë do të kërkojnë ta nisin me këmbën e mbarë rrugëtimin e tyre drejt Kupës së Botës 2026. Të hënën e 24 marsit, kuqezinjtë e Kombëtares do të përballen në Tiranë me Andorrën.
Lini një Përgjigje