
Teuta arriti një fitore shumë të çmuar në transfertë, duke mposhtur Tiranën me rezultatin minimal 0-1 në stadiumin “Selman Stërmasi”, në ndeshjen e javës së 25-të të Kategorisë Superiore (Abissnet Superiore).
Pjesa e parë e takimit ishte mjaft e balancuar, me vendasit që u shfaqën më kërkues në sulm. Rasti më i dukshëm për bardheblutë erdhi nga Tabeku, por pa mundur të shënojnë apo të zhbllokojnë rezultatin.
Pas pushimit, panorama e lojës ndryshoi dukshëm. Skuadra e drejtuar nga trajneri Enkelejd Dobi mori kontrollin e plotë të ndeshjes dhe shtoi presionin ndaj portës kundërshtare. Maçolli goditi traversën, më pas topi u ndal në shtyllë, ndërsa Arifi shpërdoroi një mundësi të artë.
Vendimi fatal erdhi në minutën e 87-të: pas një konsultimi me VAR, u akordua penallti për Teutën. Xhoele Maçolli u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke shënuar golin e vetëm të takimit dhe duke i dhuruar tri pikët e plota durrsakëve.
Kjo humbje e rëndë e lë Tiranën sërish në zonën e ftohtë të renditjes, ku ka kaluar pjesën më të madhe të këtij sezoni. Nga ana tjetër, Teuta afrohet ndjeshëm me vendin e katërt, tashmë vetëm tre pikë larg objektivit kryesor për pjesën e mbetur të kampionatit.
Me këtë sukses, Teuta regjistron fitoren e dytë radhazi në Superiore, duke treguar formë në rritje në momentin kyç të sezonit.
Lini një Përgjigje