
Tre ditë para sfidën vendimtare ndaj Republikës Çeke, kombëtarja shqiptare zhvilloi konferencën e radhës për shtyp, teksa të pranishëm ishin futbollistët Ylber Ramadani e Taulant Seferi.
Lojtarët në fjalë analizuan përballjen, për të cilën kanë pohuar se kundërshtari nuk duhet nënvlerësuar, ndërsa në anën tjetër kanë shtuar se kuqezinjtë janë gati. Mesfushori i Leçe ka pohuar se skuadra ka mentalitet fituesi.
“Kemi ardhur me mentalitetin e duhur kur e kemi përfunduar ndeshjen me Poloninë. Është një ndeshje shumë e vështirë, nuk është ndeshje e lehtë, pasi kundërshtari është i fortë. Kanë pësuar vetëm dy gola, por ne duhet të futemi në fushë vetëm me qasjen e duhur, pa eufori dhe ta bëjmë maksimumin e të marrim rezultatin pozitiv”, tha Ylber Ramadani.
Taulant Seferi vjen në një formë shumë të mirë, teksa arriti të gjente rrugën e rrjetës më skuadrën e Banyas, ndërsa vlerëson se ofensiva e Shqipërisë është më e mirë ndonjëherë.
“Besoj se po, pasi kemi bërë shumë gola. Besoj se ky është sulmi më i mirë që ka pasur Kombëtarja. Kjo më bën të lumtur sepse konkurrenca e bën grupin dhe ekipin më të fortë. Shpresojmë që kjo konkurrencë e madhe në grup të na shërbejë për rezultate pozitive. Kur Kombëtarja shënon, është diçka e bukur për ne sulmuesit dhe diçka e mirë. Kombëtaren nuk e bën një repart, por ne jemi grup dhe forca më e madhe e skuadrës është grupi”, deklaroi Taulant Seferi.
Në fund ka dhe një thirrje për tifozët kuqezi, të cilët pritet të jenë më tepër se 22 mijë në Air Albania.
“Normalisht do u lutesha që të mos hedhin sende në fushë, sepse na duhen për ndeshjet e radhës. Ata janë lojtari i 12-të i joni dhe mendoj se do ishte mirë të jenë me ne gjithmonë. Nuk duam t’i humbim nga sendet e hedhura në fushë”, deklaroi Ramadani.
Shqipëria përballet me Çekinë më 12 tetor, ndërsa kujtojmë se së fundmi u dëmtua dhe qendërmbrojtësi Ardian Ismajli, i cili braktisi grumbullimin.
Lini një Përgjigje