
Vllaznia ka zhvilluar sot ndeshjen e radhës miqësore, teksa skuadra kuqeblu po përgatitet për pjesëmarrjen në Superiore.
Pasi ka lënë pas zhgënjimin europian, ekipi i drejtuar nga Brdariç i është kthyer fushës së lojës, ku përballë në “Loro Boriçi” kishte Burrelin e drejtuar nga Ditmar Bicaj.
Trajneri Brdariç e nisi këtë sfidë me disa ndryshime në rreshtim, teksa i dha hapësirë nga minuta e parë Pusit e Dodajt mes titullarëve. Por ishte një lojtar i stolit që bëri diferencën në pjesën e dytë, mesfushori Klinti Qato.
Ky i fundit ekzekutoi një goditje dënimi nga rreth 35 metra, duke çuar topin në rrjetën e portës së Burrelit për atë që ishte goli i vetëm i takimit të sotëm.
Në ndeshjen tjetër, Dinamo ka fituar 0-1 miqësoren me AC Rexhiana. Sfida u luajt në “Campo Sportivo di Cavola”.
Qardaku shënoi golin e vetëm të të gjithë takimit. Ky test miqësor i shërbeu trajnerit Dritan Mehmeti për përgatitjet para kampionatit.
Në duelin e luajtur sot, kanë gjetur minuta edhe lojtarë të cilët janë afruar së fundmi si Maliqi, Muzek, Nani, Dibra apo Doçi.
Kujtojmë se Dinamo vazhdon fazën përgatitore në Itali, ku ndodhet prej 20 korrikut. 18 herë kampionët e Shqipërisë vijnë më skuadër të re për këtë sezon.
Lini një Përgjigje