Në moshën 26-vjeçare, Marjana Koçeku është e vetmja deputete e pavarur në Parlamentin shqiptar. Më 14 qershor, ajo u largua nga Partia Socialiste e Edi Ramës, në shenjë kundërshtimi ndaj projekteve zhvillimore të qeverisë.
Marjana Koçeku ka lindur në Shkodër në vitin 2000 dhe ka studiuar Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shqipëri dhe jashtë vendit. Në vitin 2021 u kthye në atdhe për të punuar në biznesin e familjes, një bujtinë në zonën malore të Thethit, në veri të Shqipërisë, pranë kufirit me Malin e Zi.
Pasi u bë e njohur në rrjet si “Neomalsore”, ajo u propozua nga vetë Kryeministri Edi Rama si kandidate e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, ku edhe u zgjodh deputete. Më 14 qershor të këtij viti, ajo u largua nga PS-ja në shenjë kundërshtimi ndaj projekteve të qeverisë në gjirin e Pishë Poro-Nartës dhe në ishullin e Sazanit.
Le ta nisim nga viti 2021. Pse vendosët të ktheheshit në Shqipëri?
Kur u largova nga Shqipëria në vitin 2020, nuk kisha ndërmend të kthehesha. Ishte kulmi i emigrimit të të rinjve, një kohë kur largoheshe jashtë vendit pa pasur shumë shpresë se Shqipëria mund të ndryshonte për mirë.
Jam rritur mes qytetit të Shkodrës dhe një fshati malor pranë liqenit. Jam më e vogla nga katër fëmijët e familjes dhe, si në pothuajse çdo familje shqiptare, edhe vëllezërit e mi kanë jetuar jashtë vendit. Unë u largova si studente, me një bursë studimi.
Por vëllai im i madh bëri rrugën më të vështirë: kaloi malet në këmbë drejt Greqisë, duke ecur ditë e natë, dhe përfundoi në burg si emigrant i parregullt. Kam studiuar në Xhenova dhe kam jetuar për një periudhë edhe në Suedi, ku motra ime jeton prej më shumë se 15 vitesh.
Jeta jashtë vendit më ndihmoi ta vlerësoja më shumë vendin dhe fshatin tim, si edhe të shihja mundësitë për t’i zhvilluar ato, në vend që t’u ktheja shpinën. Udhëtimet më bënë të kuptoja se sa unike është kjo luginë dhe sa potencial do të kishte komuniteti ynë nëse turizmi do të zhvillohej duke ruajtur me fanatizëm atë që jemi.
Kështu u kthyet dhe iu përkushtuat biznesit të familjes në veri të Shqipërisë…
Po. Familja ime ka qenë e para që është marrë me turizëm në të gjithë atë zonë. Kemi pritur turistë që nga viti 2010, por fillimisht aktiviteti ynë lidhej kryesisht me lundrimin në liqen: im atë ishte kapiten dhe vëllezërit shëtisnin turistë gjermanë, italianë, francezë e shumë të tjerë.
Në vitin 2021 mora hua rreth 2.000 euro nga shoqja ime më e ngushtë për të bërë disa rregullime të vogla - për të blerë krevate të rinj dhe për të riparuar dritaret e thyera të shtëpisë sonë të vjetër - dhe hapa një bujtinë. Është një vend shumë i thjeshtë dhe i qetë.
Mamaja ime gatuan në zjarr dhe ne u shërbejmë vizitorëve ushqimin me të cilin jemi rritur edhe vetë. Sot kemi kapacitet të presim deri në 28 persona.
Në atë periudhë u bëtë e njohur në rrjet si “Neomalsore” dhe tërhoqët vëmendjen e Edi Ramës. Pse vendosët të angazhoheshit në politikë dhe pse pikërisht me Partinë Socialiste?
Sinqerisht, nuk e kisha menduar se do të hyja në politikë. Kisha studiuar Shkenca Politike dhe kisha një idealizëm të caktuar, por e mendoja politikën si një projekt për të ardhmen e largët. Falë punës sime u bëra mjaft e njohur dhe fitova ndikim te brezi i ri.
Media ndërkombëtare, si “Financial Times”, realizoi një dokumentar për mua dhe merrja qindra mesazhe nga të rinj që më shkruanin se kishin gjetur guximin të ktheheshin në fshatrat e tyre, të shihnin një jetë përtej kryeqytetit, të riktheheshin nga emigracioni dhe të investonin në vendlindje.
Ftesa erdhi drejtpërdrejt nga Kryeministri në mars të vitit 2025 dhe Partia Socialiste ishte e vetmja forcë politike që më bëri një propozim serioz. Në fillim nuk doja ta pranoja, sepse kjo nënkuptonte të rrezikoja gjithçka që kisha ndërtuar.
Megjithatë, dy arsye më bindën të thosha po: fakti që isha një grua e re nga një zonë me mundësi jashtëzakonisht të kufizuara, veçanërisht për vajzat, dhe bindja se vinte koha që dikush nga këto male, të lëna pas dore nga çdo qeveri, të kishte një zë.
Bëhet fjalë për një zonë me rrugë të shkatërruara, pothuajse pa investime publike, të njohur për fenomenin e gjakmarrjes dhe të përfaqësuar shpesh nga politikanë që nuk e njohin realitetin e saj.
Pak më shumë se një vit më pas, më 14 qershor, vendosët të largoheshit nga Partia Socialiste. Çfarë ju zhgënjeu?
Unë besoja vërtet te përfshirja e brezit të ri. Njerëzit e vlerësonin mënyrën time të sinqertë të të bërit politikë dhe donin që këtë frymë ta sillja edhe në institucionet shtetërore. U përpoqa ta bëja përmes disa nismave në mbrojtje të mjedisit, por e kuptova shpejt se ato nuk ishin aspak të mirëpritura.
Pashë se politika e shkatërrimit të mjedisit po bëhej gjithnjë e më e shpeshtë dhe më agresive. Atëherë kuptova se po i shërbeja pikërisht të kundërtës së asaj në të cilën besoja, të asaj për të cilën kisha punuar dhe mbi të cilën kisha ndërtuar figurën time publike.
Vendosa se nuk mund t’i përkas një grupi që harton ligje dhe politika në funksion të një rrethi shumë të ngushtë interesash, duke dëmtuar mjedisin. Kuptova gjithashtu se kjo nuk kishte të bënte vetëm me veriun e Shqipërisë. Bëhet fjalë për një plan të mirëmenduar që prek të gjithë vendin.
E konsideroj mbrojtjen e mjedisit thelbin e identitetit tim politik. Kjo është e vetmja Shqipëri që kemi. Nuk mund të lejojmë gabime të rënda, pasojat e të cilave nuk mund të zhbëhen më.
Kështu u larguat nga partia, por nuk dorëzuat mandatin e deputetes…
Kushtetuta ma lejon ta mbaj mandatin si deputete e pavarur. Vendimin e bëra publik vetëm përmes rrjeteve sociale, pa pasur asnjë kontakt paraprak me drejtuesit e partisë. Nuk doja të krijoja mundësinë për biseda private që mund të synonin të më ndryshonin mendjen ose të më bindnin të dorëzoja mandatin.
Ditët që pasuan ishin të mbushura me presion dhe tension. E fika telefonin, sepse nuk pushonte së rëni nga mesazhet dhe telefonatat. Atë javë, shumica e titujve në media ishin: “E ka telefonin e fikur, ku është Marjana?”. Ndërkohë, unë thjesht kisha nevojë për pak kohë për veten.
Pati presione nga partia dhe nga deputetë të ndryshëm që të dorëzoja mandatin, si edhe qindra profile false në rrjetet sociale që më fyenin dhe më sulmonin. Por vendimi im ishte i mirëmenduar.
Jam plotësisht e vendosur t’i kaloj tre vitet e ardhshme si deputete e pavarur.
Po punoj për ngritjen e një platforme publike për aktivitetin tim politik, me mbrojtjen e mjedisit në qendër dhe me synimin për ta bërë Shqipërinë një vend më të jetueshëm.
Ju vetë punoni në turizëm. Çfarë lloj turizmi i uroni Shqipërisë?
Mendoj se Shqipëria është shembulli i përsosur se si mund të zhvillohet një turizëm i qëndrueshëm, pa dëmtuar natyrën dhe duke respektuar thellësisht komunitetet lokale.
Është një vend i vogël, por me një larmi të jashtëzakonshme kulturash, traditash, etnografie, folklori dhe peizazhesh natyrore.
Të gjitha këto vlera mund të lidhen në një rrjet që mbron dhe promovon identitetin tonë, duke u ofruar vizitorëve pikërisht atë që na bën të veçantë. Në vend të kësaj, ne po shkatërrojmë atë që na dallon, duke ndërtuar projekte që mund t’i gjesh kudo në botë, qoftë në Maldive apo në Xhamajkë.
Nuk kemi nevojë të bëhemi një kopje e zakonshme e vendeve të tjera. Ne kemi nevojë për një Shqipëri të zhvilluar, por mbi të gjitha për qytetarët e saj.
Keni marrë pjesë në protestat që nisën në fund të majit, bashkë me shumë bashkëmoshatarë tuaj. Çfarë kërkon brezi i ri shqiptar për të ardhmen e vendit?
Kjo protestë është manifestimi qytetar më i bukur që kam parë ndonjëherë dhe besoj se është ndër më të bukurit që ka parë Evropa në vitet e fundit. Ajo më bën krenare që i përkas këtij brezi. Ne i shohim gjërat krejt ndryshe nga brezi i prindërve tanë.
Për mua është një revolucion energjie - i bukur, krijues dhe shumë i vetëdijshëm për atë që jemi dhe për atë që duam të bëhet vendi dhe shoqëria jonë. Kjo lëvizje ka arritur tashmë disa fitore të vogla dhe nuk besoj se do të ndalet, sepse synimet e saj janë shumë më të mëdha.
Brezi i ri kërkon një Shqipëri ku të mund të jetojë me dinjitet, ku energjia dhe talenti i të rinjve të shfrytëzohen në vendin e tyre, pa qenë të detyruar të largohen.
Shumica e shqiptarëve që jetojnë jashtë e kanë ende mendjen te shtëpia, te prindërit që kanë mbetur vetëm dhe te motrat e vëllezërit më të vegjël. Ky brez po vepron më në fund që Shqipëria të bëhet një vend ku jetohet me dinjitet, dhe jo thjesht një vend ku mbijetohet.
Shqipëria po negocion anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndaj në këtë moment Brukseli ka një peshë dhe ndikim të rëndësishëm. Jeni e kënaqur me reagimin e institucioneve evropiane deri më tani?
Pas largimit tim nga Partia Socialiste shkova për një javë në Bruksel, e ftuar nga disa europarlamentarë për të folur mbi protestën. Atje zhvillova takime me eurodeputetë nga familje të ndryshme politike.
Mesazhi mbi të cilin këmbëngula më shumë ishte se procesi i integrimit evropian nuk duhet të reduktohet në një lëvizje gjeopolitike apo në një ushtrim thjesht burokratik.
Ai duhet të jetë një proces shumë më gjithëpërfshirës. Shoqëria shqiptare ndan vlerat e Bashkimit Evropian, por kjo nuk do të thotë se mbështet automatikisht qeverinë, elitën politike apo Kryeministrin.
Nëse 92 për qind e shqiptarëve mbështesin integrimin evropian, kjo ndodh sepse për ne Bashkimi Evropian përfaqëson garancinë më të fortë për një demokraci funksionale, për transparencë, llogaridhënie dhe shtet të së drejtës.
Është e rëndësishme që BE-ja të ndërtojë lidhje të drejtpërdrejta me shoqërinë shqiptare dhe me shoqërinë civile, në mënyrë që të ketë një pasqyrë reale të mënyrës se si zbatohen reformat në praktikë. Kjo duhet bërë duke dëgjuar qytetarët dhe jo vetëm ata që janë në pushtet, të cilët shpesh e përdorin procesin e integrimit evropian si një mjet për të forcuar pozitat e tyre politike.
Çdo kapitull negociues duhet të monitorohet nga afër gjatë zbatimit konkret dhe jo vetëm përmes raporteve të administratës shtetërore.
Përmendët krijimin e një platforme të re. Cilat janë planet tuaja politike nga tani deri vitin e ardhshëm?
Unë jam e vetmja deputete e pavarur dhe njëkohësisht deputetja më e re në Parlament. Të qenit e pavarur të vendos disa kufizime, por njëkohësisht të jep një liri të jashtëzakonshme për ta bërë zërin tënd të dëgjohet.
Do të jem një opozitë kritike dhe e vendosur, në shërbim të interesit publik dhe qytetarëve. Do të jem e lirë të votoj sipas bindjes sime dhe të ngre zërin sa herë ta konsideroj të nevojshme, si në Parlament ashtu edhe në çdo institucion tjetër.
Kjo nuk do të thotë se jam vetëm. Në politikë nuk je kurrë vetëm. Unë përfaqësoj shumë njerëz dhe jam e bindur se gjatë këtij rrugëtimi do të bashkohen edhe shumë të tjerë: njerëz që ndajnë të njëjtat bindje, që do t’i gjykojnë të drejta veprimet e mia dhe që do t'i bashkohen platformës dhe ideve që po ndërtojmë.
Koha do ta tregojë nëse ajo që po bëj është e drejtë dhe nëse jam e prerë për politikë. Megjithatë, më shumë se kurrë jam e vendosur ta vazhdoj këtë rrugëtim, sepse Shqipëria ka nevojë për zëra kritikë, brenda ose jashtë partive politike, veçanërisht nga brezi i ri.
Ne kemi një vizion tjetër për mënyrën se si duhet të funksionojë demokracia dhe për mënyrën se si mund të përmirësohet shoqëria jonë.
Prandaj jam optimiste dhe entuziaste për të ardhmen time politike. Pa një parti pas meje, por me bindjen se idetë mund të jenë forca më e madhe për ta bërë Shqipërinë një vend më të jetueshëm për të gjitha brezat, veçanërisht për të rinjtë./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Balcani Caucaso”
Lini një Përgjigje