
Kombëtarja shqiptare do të debutojë në “EURO 2024” më 15 qershor në orën 21:00 ku përballë do të ketë Italinë në Dortmund. Një supersfidë plot emocione e drithërima që zë një vend të veçantë për të gjithë shqiptarët.
Skuadra ka nisur fazën përgatitore në Austri dhe trajneri Silvinjo do të shoh me detaje të gjithë futbollistët, ndërsa do të ketë në dispozion edhe 2 miqësore, me Lihtenshtejnin dhe Azerbajxhanin më 3 dhe 7 qershor, përpara nisjes së kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik.
Listën e ka ezauruar, por puna e vështirë nis tani. Braziliani duhet të përgatisë formacionin titullar që do të ketë misionin e vështirë për t’i bërë ballë 3 superkombëtareve si Italia, Kroacia e Spanja. Mision në dukje i pamundur, por i tillë u tha edhe për kualifikimin e kuqezinjve, ndaj fusha do të thotë fjalën vendimtare.
Në Itali duket se kanë zbuluar formacionin që Silvinjo do të përdorë në Gjermani. “Sky Sport” raporton se kuqezinjtë do të luajnë me një modul 4-3-3 me Qazim Laçin që shton muskujt në mesfushë për t’iu kundërpërgjigjur kualitetit të kundërshtarëve.

Vetë Silvinjo tha që lojtarët e grumbulluar janë në bazë të kundërshtarit, që shpjegon rikthimin e Abrashit, ndaj s’do të ishte aspak çudi ndryshimi i skemës.
Në kualifikuese luajtëm me një formacion ofensiv 4-2-3-1 që shpeshherë në pjesën e dytë bëhej me 2 sulmues. Në 11-shen e paraqitur nga “Sky Sport”, Nedim Bajrami merr rolin e sulmuesit të majtë, por bazuar në karakteristikat e tij, do të ketë detyra ndryshe nga ‘natyralët’.
Emri surprizë mund të quhet Rei Manaj, që sipas medias italiane fiton balotazhin me Brojën e Dakun në majën e sulmit, ndërsa pjesa tjetër nuk ndryshon.
Megjithatë, kjo mbetet thjeshtë një parashikim bazuar te rivalët e kuqezinjve. Trajneri Silvinjo do të thotë fjalën e fundit dhe merr të gjitha vendimet, ndaj do të ketë rreth 10 ditë kohë për të studiuar në imtësi 26 futbollistët e Shqipërisë.
Lini një Përgjigje