
Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht përgatitjen për “EURO 2024” me kuqezinjtë që kanë zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore pas mbërritjes në Grac një ditë më parë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Silvinjo dhe stafi teknik kanë punuar me grupin për më shumë se një orë me ngarkesë të plotë dhe i gjithë procesi stërvitor ka shkuar normalisht.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se me grupin është bashkuar në këtë seancë edhe Taulant Seferi, i cili u stërvit rregullisht dhe gëzon gjendje të mirë fizike, ashtu si edhe pjesa tjetër e skuadrës.
Ndërkohë, ekipi do të vijojë me përgatitjet e fundit nesër në prag të miqësores së parë të qershorit, asaj ndaj Lihtenshtejnit, që zhvillohet më datë 3 qershor, në orën 20:00 në stadiumin “Haladas” të Hungarisë.
Sakaq, me grupin sot do të bashkohet edhe mesfushori Amir Abrashi, ndërkohë që i fundit do të vijë në grumbullim Berat Gjimshiti, pasi të ketë përfunduar angazhimet e tij me klubin e Atalantës.
Udhëtimi nga vendi i grumbullimit në Austri deri në Haladas në Hungari ku do të zhvillohet ndeshja është rreth 1 orë dhe skuadra do të lëvizë me autobus, për t’u rikthyer menjëherë pas ndeshjes dhe të vazhdojë programin stërvitor. Ndërkohë ndeshja e dytë, do të jetë më 7 qershor ndaj Azerbaixhanit në të njëjtin vend, një ditë përpara nisjes për në Gjermani.
Lini një Përgjigje